Parku i Apolonisë si “Fletë Lavdërimi” për Shqipërinë/ Turistët e huaj të mahnitur me historinë e vendit tonë

Parku Arkeologjik i Apolonisë mbetet destinacion i preferuar jo vetëm për Arkeologjinë dhe Antikitetin, por edhe për peisazhin natyror.

Me fillimin e Pranverës, ka një frekuentim të lartë të vizitorëve të huaj, por edhe vendas.

Në përshtypjet e tyre vizitorët e huaj nga Gjermania dhe Spanja janë shprehur pozitivisht, jo vetëm për vlerat arkeologjike të këtij parku, por edhe për natyrën e bukur dhe mikpritjen shqiptare.

“Kur erdhëm në Shqipëri, përshtypja e parë që na dha ishte një shtet modern. Në këtë pjesë që vizituam vendi na u duk mjaft interesant, I ruajtur mirë, që edhe tregon për historinë e Shqipërisë. Ne gjithashtu patëm mundësinë të shohim një pjesë të historisë moderne, ishte fantastike dhe e trishtueshme në të nëjtën kohë.

Parku i Apolonisë si “Fletë Lavdërimi” për

Por tani Shqipëria ka ndryshuar, dhe jemi të lumtur që po e vizitojmë. E sidomos gjatë verës, pasi plazhet janë të mrekullueshme”, u shpreh një turiste.

“Vi nga Gjermania. Njerëzit këtu janë shumë miqësorë. Kjo pjesë përballë nesh është shumë e organizuar. Kemi ardhur përmes një agjencie dhe ishim të interesuar për t’i vizuatuar këto vende. Do ua sugjeroj edhe miqve të mij, pasi është një vend i bukur”, tha një turiste tjetër.

Por këtë periudhë pranverore Parku i Apolonisë vizitohet edhe nga nxënës shkollash, të cilët njihen me historinë e Antikitetit.

“Kemi sjellë fëmijët e shkolla për t’i kënaqur në një vend ku edhe fëmijët të shëtisin, por edhe të njihen me Antikitetin dhe arkeologjinë e vendit tonë”, thotë mësuesja.

Arkeologu i Parkut Arkeologjik në Apoloni, Arjan Dimo, është shprehur se parku është i vizitueshëm në çdo periudhë të vitit.

Por pritshmëria e kësaj periudhe pranverore ka sjellë më shumë turiste ku numri i tyre për çdo ditë shkon mbi 100 vizitorë.

“Me ardhjen e pranverës, vërejmë gjithashtu edhe një rritje të numrit të vizitorëve”, thotë ai.

Një ndikim pozitiv në rritjen e numrit të vizitorëve për këtë park ka ardhur edhe nga investimet që janë kryer në infrastrukturën rrugore që tashmë lidh by-pass-in e Fierit me këtë park.