Pandemia në hije e dhunës

Kryelajmi i së hënës është dhunimi i 28-vjeçares Rejsi nga bashkëjetuesi i saj, 31-vjeçari Geralt Guzholli. Bashkëjetesa 1-vjeçare mes tyre përfundoi si mos më keq, pasi Geralti dhunonte barbarisht, me grushta, shkopinj dhe thonj në fyt, prej muajsh, të dashurën e tij.

Në rrugën “Frosina Plaku”, në Tiranë, në katin e pestë të një pallati, Geralti, nën efektin e lëndëve narkotike, dhunonte me çfarë t’i dilte përpara të dashurën e tij. Shkak, me aq sa dimë, për dhunimin e 28-vjeçares, dyshohet se është xhelozia e frikshme e Geraltit, pasi ai pretendonte se e dashura e tradhtonte.

Po pse gjithë kjo dhunë kur thjesht mund të ndaheshin nëse ajo e tradhtonte?

Rejsi, me aq sa mësojmë nga mediet, kishte ardhur nga Gjermania që të bashkëjetonte me Geraltin. Ishin dashuruar në Gjermani, në qytetin e saj, kur ky kishte vajtur për vizitë në spitalin ku Rejsi punonte si infermiere. Një djalosh i hedhur nga Shqipëria e kishte bërë për vete pas asaj monotonie pune në spital, dhe ajo kishte rënë në dashuri.

Edhe pse ai e kishte dhunuar në Gjermani, dhe prindërit e saj e kishin nxjerrë nga shtëpia, sërish, Rejsi e fali dhe zgjodhi të vinte me të në Tiranë.

Xhelozia e skajshme e Geraltit, që kalonte deri në dhunë të frikshme, tregon problemin e madh me të cilin po përballen disa të rinj si ai sot. Ashtu si Rejsi, shumë goca kanë zgjedhur të vazhdojnë shkollën dhe karrierën e tyre. Si Geralti, shumë çuna kanë zgjedhur pasurimin e shpejtë duke bërë çfarë t’u dal përpara.

Geralti dhe Rejsi kaq përputhen me njëri – tjetrin për nivelin intelektual dhe ëndërrat që duan të ndjekin. Kjo e çmend Geraltin dhe tipat e ngjashëm me të. Atë e respektojnë gjithë shokët, por ai s’di të bëjë muhabet si duhet me Rejsin. Nisin një bisedë, flet 7 minuta, pastaj fillon e tregon histori shokësh, histori kot, kodra pas bregut. Edhe kur janë në kafe me miqtë dhe mikeshat e Rejsit, ai s’di të flasë, sepse s’ka lexuar asgjë, asnjëherë. S’ka pasur ndonjëherë shok që të flas për ndonjë film, libër apo udhëtim, ndaj i duket se çdokush që flet më bukur se ai, do ja bëjë për vete Rejsin.

Sa i fortë kërkon të duket, aq i mjerë është brenda. Kjo skizofreni mendore dhe shpirtërore e vret, e sakatos, por s’di si t’i jap përgjigje dhe rreh Rejsin. Nuk ndahet, sepse e di se ajo është shumë e mirë, e shkolluar dhe e rafinuar, për të ndejtur në një lidhje me të. Ndaj e rreh. Nxjerr inatin. Inatin e ka me veten, me impotencën e tij, injorancën që ka dhe sa mjeran dhe skarco është.

Nga mënyra se si fliste Rejsi në intervistë, pas daljes nga spitali, Geralti ishte nga ata halabakët e lagjeve që e kanë nisur karrierën e të fortit duke vjedhur shokët në shkollë, duke u rrahur nëpër lagje dhe që, pas një moshe, kapen pas të fortit të lagjes për t’u dukur se po bëjnë ndonjë gjë të madhe.

E ëma dhe i ati e qortonin përditë, rrezik janë hallexhinj që s’ju del muaji, dhe i luteshin të shkonte në shkollë. Por ai kishte një plan të madh, që të bëhet i pasur, si X-i te lagjja, i cili shkoi në Itali dhe erdhi me super lekë me vete.

Kështu kaloi Geralti vitet 2000, kur ishte 10 vjeç, duke dëgjuar për rrëmbime dhe histori me pasurim të shpejtë. E la shkollën, s’shkonte fare, ose shkonte sa për t’u dukur dhe bërë galatë, mori ndonjë diplomë me lekë, nëse familja kishte ca të ardhura, dhe bënte vajtje – ardhje nëpër lagje, duke matur trotuarin derisa t’i dilte rasti dhe të bëhej i pasur.

Tipat si Geralti janë të shumtë. Edhe vajzat si Rejsi janë të shumta. Kur gocat vajtën në shkollë dhe nisën karrierën, Geralti e kishte mendjen se si të bënte të fortin e shkallës.

Konkurenca është më fortë te ata që mbajnë armë, se te ata që mbajnë stilolaps dhe shkojnë në punë. Nami i keq nëpër botë na ka dalë pikërisht nga tipa si Geralti, sepse dështoi familja e para ta edukonte, dështoi edhe sistemi arsimor ta edukonte, tani ka dështuar edhe ai si njeri.

Sa turp!