Pse janë kaq të lodhur urbanët?

Skema që aplikon bashkia e Tiranës me urbanët është më e keqja e dy modeleve.

Ata që besojnë tek tregu, do thonin që privatët të konkurronin në çdo linjë dhe qytetarët zgjidhnin atë linjë që do i shërbente më mirë.

Por këta privatët që kanë marrë koncesionin e linjave, nuk ndjejnë presionin e konkurrencës. Pra qytetari ose do marrë autobusët e tyre, ose do ecë në këmbë. Nuk ka mundësi zgjedhjeje, sepse privati ka monopolin në atë linjë.

Ndërkohë, duke qenë privat, pronarët e këtyre linjave duan të fitojnë sa më shumë.

Ja të paktën 10 mënyra se si kursejnë privatët në kurriz të pasagjerëve:

1. Duke blerë autobusë të vjetër dhe të amortizuar

2. Duke vënë në qarkullim sa më pak autobusë

3. Duke marrë autobusë me 'vagona' që të kursesh pagesën për staf (shoferë dhe faturino)

4. Duke ngjeshur sa më shumë pasagjerë në një autobus që të kursejnë naftën

5. Duke mos e ndezur kondicionerin në verë dhe as ngrohjen në dimër

6. Duke i detyruar shoferët të punojnë 16 orë në ditë

7. Duke mos i njohur biletat e linjave të tjera

8. Duke dekurajuar përdorimin e aboneve (dhe duke nxitur reduktimin e tyre)

9. Duke penguar futjen e abonesë elektronike, që të fshehin numrin e biletave

10. Duke mos lejuar vendosjen e GPS-ve që të mos marrin gjoba për vonesat apo për numrin e autobusëve në qarkullim.

Ja përse këto koncesione duhen anuluar dhe autobusët urban duhet të menaxhohen nga një ndërmarrje publike, e cila nuk ka qëllim fitimin, por shërbimin publik, si në Gjermani dhe shumë vende të zhvilluara.

Duke qenë urbani publik do bjerë incentiva e fitimit, e cila sot pengon shërbimin urban.

Duke qenë publik ne do mund t'i kërkojmë llogari bashkisë për cilësinë e shërbimit.

Duke qenë publik, do eliminojmë radhët për abone studenti apo për pensionistët, pasi ata mund të udhëtojnë FALAS vetëm me kartë studenti apo librezë pensioni.

Duke qenë urbani i unifikuar ne do mund të kemi një abone unike dhe një biletë unike për të gjitha linjat.

Pra, vetëm duke prishur pazaret e privatëve ne do mund të mbrojmë publikun.