"Jo zgjedhje në veri", Haradinaj: Pezullimi i procesit, vendim në dobi të Kosovës
Ish kryeministri Ramush Haradinaj këmbëngul në propozimin se zgjedhjet e parashikuara për në 23 Prill në veri të Kosovës duhet të shtyhen. Ai e cilëson procesin rrugë pa krye
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, këmbëngul se zgjedhjet në veri që pritet të mbahen më 23 prill duhet të shtyhen.
"Ndalja e zgjedhjeve është në dobi të Kosovës, e kundërta është humbje," tha ai.
Haradinaj thotë se fakti se zgjedhjet mbahen qendra jo të rregullta e të zakonshme votimi, e vështirëson pjesëmarrjen e qytetarëve për të votuar, derisa shton se në këtë formë rrezikohet edhe siguria e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
"Fakti se mbahen në stacionin e policisë e vështirëson pastaj edhe pjesëmarrjen," tha ai.
Konsideron se vendimi për t’i mbajtur zgjedhjet pa koordinim me aleatët ndërkombëtarë, është i gabuar për vendin.
"Gabim është se kemi hyrë në këtë rrugë pakrye," tha ai.
Haradinaj thotë se agjenda e Serbisë për të qenë kundër Kosovës do të vazhdojë çdoherë, porse sipas tij, e rëndësishme është që për veriun te ketë koordinim me ndërkombëtarët.
"Agjenda e Serbisë gjithmonë do të jetë e njëjtë," tha ai.
Zgjedhjet në veri të Kosovës ishin parashikuar që të mbahen më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por u shtynë me vendim të presidentes Vjosa Osmani për 23 prill edhe për shkak të situatës së tensionuar dhe barrikadave që i ngritën nga grupe të dyshuara kriminale.