VIDEO/ Debate në KQZ, përfaqësuesi i Alibeajt i pakënaqur nga fletët e votimit, PL: Historia e KQZ-së nuk nis me ty mor zotri

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka mbledhur sot KQZ-në për të miratuar fletët e votimit për zgjedhjet vendore të 14 majit. Kujtojmë se dy ditë më parë u hodh shorti që përcaktoi renditjen e subjekteve zgjedhore si edhe të kandidatëve për secilën bashki.

KQZ në krah të çdo partie politike ka radhitur emrin e kryetarit të asaj force politike por në rastin e koalicioneve nuk e ka bërë këtë. Ashtu siç e ka paraqitur në modelin e shpërndarë më herët në rastin e koalicionit Berisha Meta nuk është vendosur emri i Ilir Metës.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Indrit Sefa, ngriti shqetësimin se përse fshihet emrin i Ilir Metës si drejtues i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë”. Ai tha se po shkelet ligji me këtë format flete, ku drejtuesi i koalicionit nuk përmendet në fletë.

Për t’ia kujtuar Sefa nxori një fotografi të printuar: “Ky në foto është Ilir Meta, kryetar i koalicionit”, tha ai.

“Ka ndonjëherë në historinë e KQZ që në fletën e votimit kur kemi të bëjmë me një koalicion të mos jetë vendosur emri i kryetarit. Ekziston ndonjëherë një precedent të tillë? Sa për informacion me ndryshimin e Kodit në vitin 2020 ka ndryshuar edhe strukturimi i KQZ. Dhe Komisioneri sigurish që ka praktika të tjera”, deklaroi Sefa.

Ndërkohë që përfaqësuesi i Partisë së Lirisë, Kaziaj e argumentoi kërkesën e tyre për të mos e pasur në fletën e votimit emrin e Ilir Metës se nuk ndikon pasi sipas tij votohet programi.

“Nuk do të thotë që zgjedhjet i fiton kryetari i një partie politike por forca dhe programi që i fiton zgjedhjet”, tha Kaziaj.

Përfaqësuesi i PL-së i kujtoi Sefës se historia e KQZ-së nuk ka nisur me ardhjen e tij në KQZ, në vitin 2021 kur e mandatoi Lulzim basha ashtu si Enkelejd Alibeajn që ai përfaqëson.

VIDEO/ Debate në KQZ, përfaqësuesi i Alibeajt i pakënaqur
Modeli i propozuar nga KQZ

Ndersa, Eridian Salianji, përfaqësuesi i PS në KQZ, tha sot se nuk e kupton se pse nuk e duan emrin e Ilir Metës në fletën e votimit, dhe se kjo krijon konfuzion.

“Ligji e bën të qartë dhe thotë që fleta e votimit duhet të jetë e qartë, të mos ketë asnjë paqartë. Nuk thuhet arsyeja se pse nuk vendoset emri. PD thotë që krijohet konfuzion ndërkohë që nga subjekti i ‘Bashkë fitojmë’ nuk e thonë arsyen se pse duan që të mos vendoset.

Në dokumente e thoni kush është kryetari ndërsa në fletën e votimit nuk e doni. Ju lutem ftojeni subjektin zgjedhor që të paraqesë se cilin emër duan si drejtues të koalicionit, edhe pse për ne është shumë e qartë”, theksoi Eridian Salianji.

Ne mbledhjen e sotme0 në rendin e ditës janë projektvendimet:

1. “Për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për kryetarë bashkie, bashkia Tiranë për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

2.“Për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për anëtarë të këshillit bashkiak, bashkia Tiranë për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

3.“Për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për anëtarë të këshillit bashkiak për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

4.“Për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për kryetarë bBashkie për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.