Ministri i Jashtëm turk: Ka qetësi në marrëdhëniet me Greqinë, por të mos jemi naivë

“Ka qetësi në marrëdhëniet mes Athinës dhe Ankarasë pas tërmetit në Turqi, por le të mos jemi naivë”, tha në një intervistë ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu.

“Si për Qipron, edhe për gjithçka që nevojitet, për çështjet e Egjeut dhe Mesdheut Lindor, ka shumë çështje konfliktuale që janë të ndërlidhura”, tha ministri i Jashtëm turk, raporton ERT.

“Nëse këto nuk zgjidhen, tensioni mund të rifillojë në çdo kohë, për fat të keq. Ne jemi gjithmonë të gatshëm t'i diskutojmë këto çështje përmes dialogut dhe diplomacisë”, shtoi më pas Mevlut Cavusoglu.

“Problemet janë të kahmotshme dhe mbeten”, shtoi shefi i diplomacisë turke duke folur për HaberTurk.

“Përpjekjet për zgjidhje duhet të vazhdojnë”, shtoi ai, duke iu referuar edhe faktit se të dyja vendet janë aktualisht në një periudhë parazgjedhore, duke theksuar se “pas zgjedhjeve duhet të ringjallet mekanizmi konsultativ për zgjidhjen e problemeve” dhe të merren hapa konkretë.