Llatja prezanton projektin: “Parku Smart City, të rinjtë e investime pa dallim mes fshatit dhe qytetit”
Kandidati i Partisë Socialiste për Elbasanin Gledian Llatja duke kërkuar votën për një mandate të dytë ka renditur disa prej projekteve të tij. Krijimi i parkut Smart City, qendër rinore, bibliotekë dhe investime pa dallime mes fshatit dhe qytetit ishin në qendër të premtimeve
Në prezantimin e programit elbasani 2030 Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri theksoi se angazhimi është për realizimin e një vizioni të zhvillimit të qytetit dhe jo thjesht për një numër.
Duke folur për projektet e realizuara në mandatin e parë të gledian llatjës ai theksoi se PS është forca e punës.
Damian Gjiknuri: “Ne nuk i besojmë fjalëve, ne i besojmë punëve. Dhe Partia Socialiste është partia e punëve, ne flasim pak dhe punojmë shumë. Mbase jemi të butë nga zëri, nuk çirremi, por forca jonë qëndron tek puna, forca jonë qëndron tek njerëzit”.
Numri dy i Partisë Socialiste thekson se është 14 maji që do të bëjë dallimin.
Damian Gjiknuri: “Në 14 maj, ballafaqohen të dy filozofitë. Nga njëra anë është kjo pemë e gjelbër që quhet Partia Socialiste dhe ecën përpara, dhe shikoni anën tjetër, e shkuara me hijet e së kaluarës që duan të na mbajnë pas.
Kë do të zgjedhim ne? Do të zgjedhim ata që na çojnë përpara. Ne nuk do të zgjedhim Saliun dhe Ilirin, nuk ka nevojë më vendi për Sali dhe Ilir, për martesën e re Berisha-Meta dhe me pinjollin e tyre që e kanë sjellë në Elbasan.
Jo ne kemi nevojë për të rinj dhe të reja, për njerëz intelektual qytetarë, të cilët përfaqësojnë zhvillimin dhe ekuilibrin e shoqërisë që e ka emrin Elbasan”.
Kryebashkiaku aktual njëkohësisht kandidat për mandate të dytë gledian llatja duke kërkuar votën e banorëve renditi disa prej projekteve.
Gledian Llatja: “Krijimi i Parkut teknologjik SMART CITY në Labinot Fushë do të synojë rritjen e kapaciteteve teknologjike me fokus primar rininë.
Do të ndërtojmë një tjetër Qendër Rinore. Do të shtojmë dhe përmirësojmë kushtet e bibliotekave në disa nga njësitë më të mëdha administrative.
Bashkë me “Qytetin e Fëmijëve” do të krijojmë një tjetër hapësirë rekreative për teknologjinë dhe zhvillimin e aftësive digjitale për fëmijët dhe të rinjtë do të jetë “Innovation Center Elbasan”.
Llatja shtoi se do ti kushtohet vëmendje maksimale infrastrukturës rrugore duke e trajtuar të barabartë si qytetin dhe fshatin.





