Po transportonin drejt Tiranës 15 emigrantë të paligjshëm arrestohen 4 kosovarë në Korçë

Tjetër aksion i Policisë së Korçës për kapjen e personave që transportojnë emigrantë të huaj drejt Tiranës kundrejt pagesave.

Gjatë një operacioni mëngjesin e sotëm, u konstatuan mjete luksoze të cilët kanë tentuar të çojnë drejt Tiranës rreth 15 emigrantë të paligjshëm.

Burime bëjnë me dije se u arrestuan 4 shtetas kosovarë, 3 meshkuj dhe 1 femër, të cilët me disa mjete kanë mbajtur në makina të huajt, duke u premtuar kalimin drejt kryeqytetit në këmbim të lekëve.

Aksioni u zhvillua nga seksioni i trafiqeve dhe narkotikëve në Dvp Korçë si dhe sektori i AMP, pasi ka patur raste të përfshirjes të punonjësve të policisë dhe të gardës në këtë aktivitet të paligjshëm.

Kapja e mjeteve, kosovarëve dhe emigrantëve të paligjshëm u bë në rrugën nacionale Korçë - Pogradec, ndërsa mësohet se emigrantët i kishin marrë në Bilisht.

Ndërkaq lidhur me operacionin në fjalë priten detaje zyrtare nga policia për rastin.