U detyruan të kthehen në zonën e luftës për të dhënë provimet, studentët e huaj të zemëruar me Ukrainën

Studentët e huaj nga vendet afrikane dhe aziatike që u larguan nga Ukraina kur Rusia filloi pushtimin, janë ankuar se janë detyruar të kthehen në vendin e shkatërruar nga lufta për të dhënë provimet kryesore.

Më 14 mars, disa nga 76,000 studentët e huaj që studionin mjekësi në Ukrainë përpara se të shpërthente lufta u kthyen në vend për të dhënë provimin përfundimtar të licencimit Krok 2 për të siguruar diplomat e tyre.

Para se të udhëtonin në vend, atyre iu tha nga Universiteti Mjekësor i Kievit se ata ishin “përgjegjës për sigurinë dhe jetën e tyre”, pavarësisht faktit se braktisja e udhëtimit do të rrezikonte vite të tëra studimesh dhe shpenzime të mëdha.

“Na është dashur të ndërpresim provimin shtatë herë për shkak të alarmit të raketave. Dhoma ishte e ftohtë dhe pothuajse nuk kishte dritë. Provimi zgjati nga ora 9:00 deri në orën 16:00 për shkak të ndërprerjeve të ndryshme dhe të 50 personat që e dhanë provimin me mua dështuan”, tha një student i mjekësisë në Universitetin e Donetsk nga Jemeni për Euronews.