Gabriel Escobar mbërrin nesër në Tiranë, zbardhet axhenda

Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor do të takojë të martën dhe të mërkurën krerët e politikës shqiptare. Zgjedhjet e 14 majit, pritet të jenë në fokus të diskutimeve.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të nisë të martën një tur takimesh me krerët e politikës shqiptare.

Mësohet se pas mbërritjes në Tiranë ai do të diskutojë fillimisht me kryeministrin Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Socialiste.

Më tej axhenda do të vijojë me presidentin Bajram Begaj.

Zyrtari i lartë amerikan pritet që takimet me përfaqësuesit e opozitës ti zhvillojë një ditë më pas, kur të mërkurën do të diskutoj me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, njëkohësisht drejtues i koalicionit "Bashkë fitojmë".

Axhenda do të vijojë me kryetarin e komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

Ashtu si dhe pritej Escobar nuk do të ketë takim me ish- kryeministrin Sali Berisha, i cili është i shpallur person non grata nga SHBA.

Vizita e tij vjen vetëm 3 ditë nga nisja zyrtare e fushatës elektorale, ndaj pritet që kjo të jetë tema kryesore e bisedës.

Më herët prej partive politike në Shqipëri është kërkuar respektimi i kodit elektoral si dhe propozimi i kandidaturave të pastra.

Axhenda 11 prill

Takim me Ramën në 16:00

Takim me Begaj në 17:00

Axhenda 12 prill

Takim me drejtues të opozitës  Alibeaj-Meta (oraret e papërcaktuara)