Arnime rrugësh për fushatë, Bashkia Maliq jep tenderin 430 mijë euro, "fshin" ofertat e mira

Tenderët për arnime rrugësh në periudhë fushate zgjedhore nuk mungojnë as në Bashkinë e Maliqit.

Ditën e premte institucioni që drejtohet nga Gëzim Topçiu, ka lidhur kontratën për sistemim dhe asfaltim në disa fshatra.

430 mijë euro do të shpenzohen në zonat Zëmblak, Pojan, Orman, Vashtëmi, Podgorie dhe në dy lagje të fshatit Sovjan.

Nga 4 kompani që kanë shfaqur interes, dy janë skualifikuar dhe fitues është shpallur subjekti “Vashtemia” që do të realizojë punimet për 6 muaj që nga nënshkrimi i kontratës.

Edhe kompania “NIKA” që kishte kërkuar rreth 17 mijë euro më pak për të kryer restaurimin e rrugëve ka dalë nga gara për shkak të kritereve.

Sipas autoritetit kontraktor, operatori në fjalë tek formulari i sigurimit të ofertës kishte shënuar gabim numrin e referencës.

Ajo që vlen të theksohet është se kryebashkiaku i Maliqit Gëzim Topçiu kandidon për mandatin e 7 në krye të Bashkisë së Maliqit.