Ibrahimaj: Rritja ekonomike 4.84 %, më e larta e rajonit, bujqësia i vetmi sektor i ngadaltë
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se rritja ekonomike për vitin 2022 ishte 4.84 %.
“Rritja ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë, konkretisht ndërtimi e 10.7 %, tregtia 9.9 % , bujqësia 0.06 % dhe industria 5.45 %. Rritja tejkaloi parashikimet e MFE-së, por edhe institucioneve ndërkombëtare. MFE dhe FMN parashikonin një rritje prej 3.7 %, ndërkohë BB parashikonte një rritje prej 3.5 % dhe BERZH, një rritje prej 3 %”, u shpreh ministrja.
Ministrja theksoi se kjo rritje rezulton më e larta e rajonit dhe ndjeshëm më e lartë se në vendet e BE-së. Sipas saj, mesatarja e rritjes në vendet e BE-së ishte 1.7 %. Ibrahimaj vuri në dukje se konsumi final i popullatës u rrit me 7.13 %, ndërsa investimet me 7%.
“Kemi pasur ecuri të mirë në terma real të pandikuar nga çmimet, si për konsum edhe investime”, deklaroi ministrja.
Ministrja Ibrahimaj tha se i vetmi sektor që ka pasur ecuri më të ngadaltë në tremujorin e katërt të vitit që lamë pas ishte bujqësia, e ndikuar nga çmimet në tregjet ndërkombëtare dhe ato vendase.
