Rama: Mjekët do të paguhen 111 mijë lekë, infermierët 72 118 lekë, rritja më e lartë në rajon
Afro 130 mijë lekë në muaj do të paguhet një mjek duke nisur nga viti i ardhshëm. Planin e rritjes së pagave për personelin shëndetësor kryeministri Rama dhe Ministrja Manastirliu e shpjeguan të mërkurën në një takim me stafin e maternitetit "Mbretëresha Geraldinë".
Deri në prillin e ardhshëm pagat e mjekëve do të shkojnë afro 130 mijë ndërsa të infermierëve 87 mijë.
Planin për rritjen e pagave për personelin shëndetësor kryeministri Edi Rama e sqaroi në një takim me mjekë e infermierë të maternitetit "Mbretëresha Geraldinë".
“Paga do të shkojë tek 111 mijë lekë ashtu sikurse paga e infermierëve do të shkojë në 72 118 lekë. Por, ky është hapi i parë në harkun midis dy prillave tani dhe prillin tjetër do ta plotësojmë kuadrin. Mjekët për momentin nuk do të kërkojnë më shumë shpresoj, sepse specialistët në QSUT do ta kenë pagën 174 mijë lekë por mjekët e përgjithshëm do të shkojnë në 131 672 lekë dhe infermierët në 87 109 lekë.
Me këtë rritje shkojmë në nivelin e lartë të rajonit. Nuk na thotë më njeri, as të rinjtë që duan më shumë edhe pse për shkak të moshës kanë bërë më pak, por kështu ka ardhur koha të rinjtë duan më shumë, të thonë janë më shumë këtu e atje. Nuk do jenë më shumë në rajon, ambicia jonë është që paga mesatare në Shqipëri të shkojë në 900 euro”.
Të mërkurën Kryeministri dhe Ministrja e Shëndetësisë panë nga afër ecurinë e punimeve për godinat e reja të Maternitetit "Mbretëresha Geraldinë".
Mjediset e reja pritet të jenë gati në dhjetor ndërsa Ministrja bëri me dije se dyfishohen kapacitetet e rriten standardet e shërbimeve.
Teksa Manastirliu fliste për shërbime, meraku i kryeministrit lidhej më së shumti me estetikën e godinave të reja.
Punimet për ndërtimin e godinave të reja të maternitetit nisën korrikun e dy viteve më parë, ndërsa risi pritet të jetë Qendra për Foshnjat Prematurë.
