1 në 6 persona me infertilitet, OBSH: 17.5% e popullsisë me këtë shqetësim, infertiliteti nuk diskriminon

Një në 6 persona në mbarë botën përjetojnë infertilitet.

Të dhënat shqetësuese përcillen nga një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sipas OBSH rreth 17.5% e popullsisë përballen me probleme steriliteti.

Raporti gjithashtu vuri në dukje se nuk ka shumë dallime në përqindjet e përhapjes së këtij fenomeni mes vendeve me të ardhura të larta, të mesme dhe të ulëta mesatare duke treguar se kjo është një sfidë e madhe shëndetësore në nivel global.

Prevalenca gjatë gjithë jetës ishte 17.8% në vendet me të ardhura të larta dhe 16.5% në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

“Raporti zbulon një të vërtetë të rëndësishme: infertiliteti nuk diskriminon”, tha Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm në OBSH.

“Përqindja e madhe e njerëzve të prekur tregon nevojën për ta zgjeruar qasjen në kujdesin e fertilitetit dhe për t’u siguruar që kjo çështje të mos anashkalohet më në hulumtimet dhe politikat shëndetësore”

Steriliteti është një sëmundje e sistemit riprodhues të mashkullit ose femrës, e përcaktuar nga dështimi për të arritur një shtatzëni pas 12 muajsh ose më shumë të marrëdhënieve të rregullta seksuale të pambrojtura. Mund të shkaktojë shqetësim të konsiderueshëm, stigmë dhe vështirësi financiare, duke ndikuar në mirëqenien mendore dhe psikosociale të njerëzve.

Pavarësisht nga përmasat e çështjes, zgjidhjet për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e infertilitetit – duke përfshirë teknologjinë riprodhuese të asistuar si fekondimi in vitro (IVF) – mbeten të pafinancuara dhe të paarritshme për shumë njerëz për shkak të kostove të larta, stigmës sociale dhe disponueshmërisë së kufizuar.

Aktualisht, në shumicën e vendeve, trajtimet e fertilitetit financohen kryesisht nga xhepi - shpesh duke rezultuar në kosto financiare shkatërruese.