Zhdukja e Ervis Martinaj, SPAK: Nuk heqim dorë nga dy akuzat, çështjen do e dërgojmë në gjykatë
Megjithëse prej 7 muaj fati i Ervis Martinaj, vijon të mbetet mister nëse është gjallë apo ka vdekur, SPAK, njofton se nuk heq dorë nga ndjekja penale e tij.
Gjatë një takimi informues me gazetarët, Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, u shprehet se statusi juridiko penal për Martinaj, vijon të qëndrojë i pandryshuar.
Sipas Dumanit, pavarësisht informacioneve të raportuara muajt e fundit, dy akuzat për Ervis Martinaj si “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje” kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” janë ende në fuqi.
“…akuzat ndaj këtij personi qëndrojnë ende dhe tashmë janë të provuara…” - deklaroi Altin Dumani.
Sipas këtij të fundit shumë shpejt aktet hetimore kundër Martinaj, do i dërgohen gjykatës së posaçme për gjykim.
Ndërsa shtoi se pak kohë më parë SPAK, ka vendosur dhe masën e bllokimit të pasurive të Ervis Martinaj, kushëririt të tij Merlika dhe rrethit të ngushtë familjar e shoqëror.
