Lagjia e “Shpejtë” me investime të ngadalta, rrugët e shkatërruara vështirësojnë lëvizjen e banorëve

Lagjja e “Shpejtë” në Lezhë ndodhet vetëm 3 kilometra larg qytetit, por banorët thonë se nuk kanë parë asnjë investim prej 30 vitesh nga bashkia.Shqetësimi kryesor mbetet infrastruktura, ndërsa banorët shprehen se janë detyruar disa herë që të ndërhyjnë me lekët e tyre për të bërë rregullime.

Ndodhen 3 kilometra larg qytetit, por kanë ngelur jashtë hartës së investimeve përgjatë 30 viteve.

Me rrugë të shkatërruara dhe pa ndriçim publik, kjo është situata zonën e quajtur si lagjia e "Shpejtë" në periferi të qytetit të Lezhës.

E populluar pas viteve '90, kjo zonë nuk ka njohur asnjë investim dhe shqetësimi më i madh për banorët është infrastruktura rrugore, ku shpesh herë është dashur të ndërhyjnë vetë që rruget të bëhen të kalueshme.

"Gropa-gropa. Si nuk dëmtohen makinat?"

"Rruga është copë-copë. Vetëm e kemi shtruar vetë."

Në këtë zonë periferike të qytetit të Lezhës jetojnë rreth 500 familje, të cilët kërkojnë ndërhyrje që t'ju plotësohen kushtet minimale të jetesës që këtu mungojnë.