Kuvendi në kërkim të Avokatit të ri të Popullit, Bledar Dervishaj kërkon proces transparent

Projektet për të mbrojtur median janë kërkesë e parlamentit për Avokatin e ri të Popullit. Në Komisionin e Ligjeve janë paraqitur 10 kandidatura, duke rihapur sfidën pas dështimit të votimit në dhjetor.

Kuvendi i Shqipërisë ka rihapur sfidën e diskutimeve për të gjetur emrin e ri të Avokatit të Popullit.

Dhjetë nga 15 kandidatët në garë kanë prezantuar projektin e tyre për këtë post.

Bledar Dervishaj, ish-këshilltar i presidentit Ilir Meta, përballë Komisionit të Ligjeve kërkoi më shumë transparencë në procesin e përzgjedhjes.

"Unë vizitoj faqen e Kuvendit dhe gjej që më kanë ikur katër deputetë nga mbështetja. Kjo më ka lënë një shije jo të mirë dhe do të doja që Kuvendi të merrte ato masa për të na ofruar ne garancinë se procesi do të jetë i drejtë."

Përgjigjen ja dha deputetja demokrate Dhurata Çupi.

"Do të doja të ishit pak më pozitiv me deputetët e opozitës."

Me ose pa profile politike, të angazhuarve në garë ju tërhoq vëmendja për mungesën e projekteve që lidhen me lirinë e medias.

"Çfarë mund të bëni ju lidhur me këtë? Pothuajse në të gjitha platformat nuk e shikoj të prekur nga kandidatët për Avokat të Popullit çështjen e mbrojtjes së të drejtës së mediave që unë mendoj se është një nga çështjet më thelbësore kohët e fundit".

Do të jetë Komisioni i Ligjeve që do të bëjë përzgjedhjen e parë përmes kritereve, e më tej kandidatët do të duhet të mbledhin firmat e 28 deputetëve.

Votimi për Avokatin e Popullit dështoi me 23 dhjetor të vitit të shkuar, ku emrat e kaluar në seancë sipas PS ishin shfaqur hapur me PD.