Kanceri i tiroides kërcënim serioz/ Mjekët japin alarmin: 50-60% e popullsisë kanë probleme
Numri i personave që kanë probleme me tiroiden apo vuajnë nga kanceri i kësaj gjëndre endokrine është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Problemet shfaqen më shumë në grupmoshën e tretë ndërsa mjekët bëjnë thirrje që simptomat të mos neglizhohen.
50-60% e popullsisë në Shqipëri vuan nga mosfunksionimi I Tiroides, thonë mjekët endokrinologë
Dashamir Gjergji, Mjek endokrinolog: “E sigurtë është që ka pasur shtim të rasteve. 50 deri në 60 për qind vuan probleme të caktuara të tiroideve, që mund të jenë probleme të formës së saj. Pra që kanë kokrra, lytha, ose “strum” që qquhet zmadhimi i saj dhe këto i kemi me statistika”.
Shqetësuese është edhe shtimi i rasteve me kancer të tiroides. Mjeku Dashamir Gjergji rendit disa nga arsyet.
Dashamir Gjergji, Mjek endokrinolog: “Ambienti më i rezikshëm, lëndët radioaktive dhe sëmundjet auto-imune që janë shtuar shumë. Deficenca e jodit është dhe kjo një nga elementet bazë, ndërhyrjet që mund të bëhen në tiroide, ndërhyrjet jashtë saj për një ekzaminim të caktuar apo një ndërhyrje të caktuar, mundet dhe këto të ndikojnë relativisht në këtë aspekt. Jo në pak raste janë dhe barnat që konsumohen për shkak të sëmundjeve të tjera”.
Nga tiroidja mund të vuajnë edhe të vegjlit por problemet më të mëdha vërehen te grupmosha e tretë.
Dashamir Gjergji, Mjek endokrinolog: “Pra janë sëmundjet e pleqërisë le të themi. Por nuk bëjnë përjashtim moshat e vogla, mund të them që sot në botë çdo i porsalindur kontrollohet ër nivelin hormonal të gjendrrës tiroide”.
Simptomat janë të shumta e ndryshojnë në varësi të mungesës apo tepricës së jodit.
Dashamir Gjergji, Mjek endokrinolog: “Në qoftë se kanë hipotirozë, apo prodhim të pakët të hormoneve të tiroides, përgjithësisht këta janë tipa të frenuar, të lodhur, apo tipa të mërzitur përgjithësisht, shtojnë shumë në peshë, bëhen depresivë, janë melankonikë. Ndryshe janë ata që kanë tepricë të lartë, janë tipa super-aktivë dhe shpeshherë kanë çrregullime të tipit të delirit”.
Mjekët bëjnë thirrje që personat që kanë këto shenja të kryejnë kontroll të gjëndrës tiroide të paktën 1 herë në vit.



