Shiu e breshëri dëmton bujqësinë/ Në fshatrat e Mallakastrës shkulen ullinjtë nga stuhia
Reshjet e shiut dhe stuhitë e breshërit të rëna gjatë së martës në vendin tonë kanë shkaktuar problematika të mëdha në bujqësi. Mijëra rrënjë ullinj janë shkatërruar në fshatrat e Mallakastrës, ndërsa dëme të mëdha në Divjakë janë shkaktuar tek patateja, ndërsa në Bulqizë akulli dhe ngricat krijuan problematika në rrugë.
Shiu i rënë në Kalenjë të Mallakastrës për pak minuta, dëmtoi rëndë ullirin.
Mijëra rrënjë dhe mundi i disa muajve u shkatërruan për pak minuta.
Banorët tregojnë se një stuhi e tillë nuk ka ndodhur kurrë në zonën e tyre.
"Një çerek ore kaloi breshër i paparë, unë jam 70 vjeç dhe nuk kisha parë ndonjëherë. E ka shkulur rrënjën e ullirit," tha një banor.
Banorët pohojnë gjithashtu se në terren nuk ka dalë asnjë grup verifikimi për të parë nga afër dëmet teksa shprehen mosbesues për dëmshpërblime.
"Ka shkul ullinj, ka shkul lisa, ka fluturuar çati. Më ndodhi që të jem këtu dhe rregullova disa çati me vëllanë se jam usta," tha ai.
Në Divjakë, qindra hektarë patate u dëmtuan duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm tek femerët.
"Na ka dëmtuar shumë. Kam mbjellun 6 dynym patate. Do japi gjysmën tani, ska çfarë do të japë më," tha një fermer.
Me problemet me motin u përball edhe Zona e Bulqizës.
Termometri zbriti zbritur disa gradë nën zero, duke krijuar akull në rrugën Qafë Buall - Krastë.
"Akull ka patur rruga, ka patur probleme në disa vende se është grumbulluar uji dhe ka ngrirë akull," tha një banor.
Dëme në sektorin e bujqësisë janë shkaktuar edhe në Bulqizë për shkak të reshjeve dhe temperaturave të ulëta në këtë fund marsi.