Berisha: Në 8 vite Shqipëria ka humbur 1/3 e qytetarëve, monizmi i Ramës anuluar të drejtat e tyre
Nga Berati ku prezantoi kandidatin e Primareve, Sali Berisha u shpreh se Në 8 vite Shqipëria ka humbur 1/3 e qytetarëve të vet.
Ai tha se shqiptarët po ikin sepse të drejtat e tyre janë fiktive, sepse monizmi ka bërë defakto anulimin e të drejtave të tyre për shkak të qeverisë Rama.
Berisha: Në 8 vite Shqipëria ka humbur 1/3 e qytetarëve të vet. Por kjo 1/3 duhet ta pranojmë është cilësore, për aq sa të rinjtë janë cilësia më e lartë e jona, janë e ardhmja jonë, 80% e tyre janë të rinj. 937 mijë shqiptarë kanë ikur në këto 8 vite në hapësirën e BE-së, së bashku me vendet e tjera janë 1 mln. 80% e tyre janë nën moshën 30 vjeç. S’ka përgjegjësi më të madhe sot besoj unë për çdo qytetar të Beratit, demokrat, socialist, i paparti se sa të ndalet për një moment; do pranojmë ne këtë shpërbërje të tmerrshme, do pranojmë ne të zhdukemi në këtë mënyrë? Ne s’duhet ta pranojmë kurrë këtë. Ne kemi përgjegjësi për të gjithë këta fëmijë, për të gjithë ata që janë larguar, por për të gjithë të vdekurit tanë të cilët kanë lënë trashëgimin përrallore për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Kjo kërkon të shtrojmë pyetjen, si ka mundësi që në 8 vite, Berati i bekuar dhe mahnitës të jetë një qytet i mallkuar, Shqipëria një vend i bekuar dhe mahnitëse, të jetë një vend i mallkuar, të jetë një vend në të cilin shqiptarët nuk besojnë, të jetë një vend ku qytetarët nuk besojnë. Çfarë ka ndodhur. Gratë dhe burrat e mençur e shtrojnë këtë pyetje dhe mendojë mirë, se kjo pyetje ka të bëjë me fatin e gjithsecilit. Ka të bëjë me fatin e këtij qyteti, vendi dhe kombi. Pse po ikin, çfarë po ndodh? Po ikin sepse të drejtat e tyre janë fiktive, sepse monizmi ka bërë defakto anulimin e të drejtave të tyre. Kush fiton sot proces gjyqësor, askush përveç atij që do Edi Rama. Sot rendi dhe siguria juaj është në dorën e bandave të Edi Ramës, ai u thotë ‘hani kokën e njëri-tjetrit ju’. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë, që policia nuk ekziston, kjo do të thotë që zotërit e rendit jeni ju, që ligji nuk është ligji i votuar në parlament, por ligji i mafias, ligji i tyre. Ndaj vritet qytetarja në banak duke punuar, plagoset fëmija 10 vjeçar, se kjo është motoja e tij.
