Energjia që shpërdorohet/Harrohet kriza, në Milot askush nuk fik dritat e rrugës
Pavarësisht se jemi në mes të krizës energjitike të shpallur në tetorin e 2021 nga qeveria, duket se institucionet kanë dështuar të zbatojnë masat që zbusin efektet negative në energji.Në Milot dritat e rrugës qëndrojnë 24 orë në ditë ndezur prej javësh, ndërsa kjo gjë duket nuk shqetëson më askënd.
Kryeministri Edi Rama ende nuk e ka shpallur fundin e krizës energjitike të njoftuar me 9 tetor të vitit 2021.
Asokohe qeveria njoftoi një sërë masash, që duket se tani askush nuk po interesohet për t’i zbatuar.
Shembull i kësaj situate është në kryqëzimin e Milotit, ku ndriçuesit e rrugës qëndrojnë ndezur përgjatë 24 orëve.
Kjo situatë vijon prej javësh dhe ndonëse është një rrugë kombëtare, ku sigurisht kalojnë dhe ata që e kanë detyrim ligjor menaxhimin e krizës energjike, dritat ndezur dhe gjatë ditës duket se nuk i kanë shqetësuar.
Segmenti rrugor në fjalë është në varësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar pasi është një rrugë kombëtare, por askush nuk ka ndërhyrë.
Teksa qeveria ju ka bërë thirrje në vazhdimësi abonentëve familjarë që të kursejnë energjinë elektrike, ndriçuesit e ndezur përgjatë 24 orëve në Milot janë një shembull që institucionet kanë dështuar të zbatojnë ligjin.
