Fatmir Sejdiu: Serbia shpesh-herë ka biseduar me Shqipërinë për Kosovën
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu nga Shkodra tha se Serbia në të kaluarën është përpjekur që të anashkalojë Kosovën, duke biseduar me Shqipërinë. Sejdiu duke komentuar më tej marrëveshjen e arritur në Ohër, tha se dokumenti më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës është deklarata e pavarësisë.
Duke përdorur skemat e saj të njohura, Serbia shpesh është përpjekur që të ulë interesimin e Shqipërisë për Kosovën, por shpesh edhe që të anashkalojë Kosovën e të flasë direkt me Shqipërinë për të.
Këtë akuzë bëri ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu nga Shkodra, ndërsa ishte i ftuar në një leksion me studentët e fakultetit të drejtësisë mbi temën “Pavarësia e Kosovës, Shtetbërja, sfidat dhe prespektivat e saj”.
"Serbia ka bërë përpjekje që të izolojë Shqipërinë nga interesimi i marrë për Kosovën. Ka bërë përpjekje që të anashkalojë Kosovën dhe të bëjë biseda për Kosovën në Shqipëri. Nuk mundet," tha ai.
Lidhur me marrëveshjen pa firmë të arritur në Ohër mes Kurtit dhe Vuçiçit, Sejdiu nuk miratoi komentet e kryeministrit të Kosovës se ajo është marrëveshja më e mirë e arritur ndonjëherë mes 2 vendeve.
"Tekst më të mirë dhe më esencial se deklarata e Pavarësisë së Kosovës që përfundon procesin e pavarësimit të Kosovës nuk ka," tha ai.
Gjatë vizitës së tij në Shkodër, Sejdiu u takua me kryebashkiakun Bardh Spahia ku vlerësoi rolin që Shkodra ka luajtur në raport me mbrojtjen e interesit të Kosovës.