Rritet çmimi i qepës, tezgat mbushen me importe, fermerëve vendas u kalbet malli në magazina
Nga 80 në 150 lekë, cmimi i qepës është dyfishuar në harkun e një jave. Situatë paradoksale, në një kohë kur fermerëve prodhimi u kalbet në magazina, ndërsa në tregje mbizotëron qepa e importit.
Janë qepë nga ato që të bëjnë të qash, jo për nga efekti kur i qëron por nga lekët kur i blen.
Brenda një jave çmimi i tyre është dyfishuar.
Para pak ditësh një kilogram kushtonte 80 lekë ndërsa këtë të enjte 1 kg shkon nga 150 në tregje deri në 180 lekë në dyqane.
"Shumë shtrenjtë është. Blejmë nga pak sa të kalojmë," thonë qytetarët.
Blerësit thonë se edhe qepën do të detyrohen ta përdorin me kursim.
"E kemi bërë një, tani gjysmë," thonë ata.
Tregtarët arsyen e shtrenjtimit e lidhin me mungesën e mallit vendas.
Aktualisht dominon qepa e importit, kryesisht ajo e ardhur nga Holanda.
"Ka qënë 70-80 lekë, kjo është sezonale jo e përhershme. Dikur ishte 80 tani 130 me shumicë.
Prodhimi vendas është shumë pak," thonë tregtarët.
Teksa konsumatorët blejnë shtrenjtë mallin e importit, kultivuesit e qepës në vend edhe këtë vit i kanë plot magazinat.
Agim Rrapaj nga Këshilli i Agrobiznesit shpjegon arsyet e këtij paradoksi.
"Ne për fruta-perimet kemi vetëm një treg. Deri më sot kemi oatur një treg i cili është dominant dhe gjithë ata që e menazhojnë këtë treg kanë mundësinë të vendosin dhe dominojnë çmimet. Rimbursimi i TVSH-së nuk nxit grumbulluesit që të blejnë tek prodhuesit vendas, por në import," tha ai.
Që prodhimi vendas të ketë hapësirë në tregje e të shkojë lirë te konsumatori ai thotë se qeveria duhet të ndërmarrë politika mbështetëse për fermerët.
"Duhet rritur më shumë masa e subvencionit, rritur masa e formalizimit, dhe duhet ndryshuar paketa fiskale. Në fund fare e rëndësishme është që ne të kemi një bursë për këto produkte," tha ai.
Nuk është i pari rast kur fermerëve shqiptarë u kalbet malli për shkak të mungesës së tregjeve ndërsa në këto të fundit dominojnë prodhimet e importit me çmime shumë më të larta.