Lum ankesash nga konsumatorët/ Në dy muaj 500 ankesa për çmimet e larta dhe cilësinë
Pasiguri për çka konsumojnë, pamundësi për të përballuar çmimet dhe me ankesa të shumta për cilësinë i gjen shqiptarët Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Konsumatorëve.
"Çmimet janë të shtrenjta, nuk përballohen. Frutat e perime ka, lekë nuk ka. Çmimet janë në strasoferë. Rriten çdo muaj, janë në qiell," thonë ata.
Ngrejnë shqetësimin se çmimet po njohin vetëm rritje dhe shpesh herë nuk e justifikojnë cilësinë.
"Cilësia ulet, çmimi rritet. Bulmeti për mua nuk është i mirë, mban erë.
Zgjidh e merr, cilësia e mirë është e shtrenjtë," thonë ata.
Dyshime kanë se abuzohet edhe me peshën e produkteve që blejnë.
"Në aparencë duket se çdo gjë është zvogëluar. Edhe letrat e kuzhinës janë holluar," thonë ata.
Thonë se nuk e kanë kulturën e denoncimit kur vërejnë abuzime ndaj kërkojnë më shumë kontrolle nga institucionet shtetërore.
"S'kemi bërë, pse s'ka kontrolle shteti. Duhet parë se ka abuzime në çmime," thonë ata.
Hasan Stafa, nga Qendra për Mbrojtjen e Konsumatorëve e cilëson të mangët punën e institucioneve. Thotë se në terren kryhen shumë pak monitorime.
"Ka neglizhencë, nuk priten mirë në zyrat dhe sportelet dhe aq më keq kur nuk shkojnë në terren për monitorimin, të bëjnë evidentimin e rasteve dhe të ndëshkojnë të gjithë ata që e shkelin ligjin," thotë ai.
Në vetëm dy muajt e parë të këtij viti pranë qendrës që ai drejton janë depozituar mbi 500 ankesa nga qytetarët.
"Janë 527 ankesa që kanë të bëjnë me çmimet, për cilësinë e produkteve apo aq më tepër mungesa e informacionit që prodhuesi e vetë institucionet nuk ofrojnë për konsumatorin," tha ai.
Prej vitit 1985, 15 Marsi njihet si Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, dite që synon rritjen e ndërgjegjësimin global rreth të drejtave të tyre.