Berisha shpërthen në akuza: Rama e shpalli veriun “zonë armiqësore”, s’ka dhënë asnjë fond, as një investim
Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar kandidaturën e Zef Hilës për zgjedhjet lokale të 14 majit në Vaun e Dejës.
Në takimin që zhvilloi pasditen e sotme me banorë të zonës Berisha u shpreh se zgjedhjet lokale janë më të rëndësishmet që nga viti 1992, pasi sipas tij në këto zgjedhje vendoset fati i demokracisë.
“Shqipëria sot përjeton krizën e saj më të thellë dhe përjeton rrokullisjen e saj më të madhe. Qytetarët shqiptarë sot përballen çdo ditë me varfëri në rritje, me pasiguri në rritje, me zhgënjim dhe dëshpërim. Kjo është e vërtetë në mbarë Shqipërinë, por është dy herë e vërtetë në zonat e veriut, të cilat ua them unë ju këtu, Edi Rama sapo mori pushtetin i shpalli ato me rreth të kuq, zona armiqësore, njëlloj siç i shpalli ato në 1944-45, Enver Hoxha dhe klika e tij.
Nëse ju merrni investimet që kjo qeveri ka sjellë në qarkun e Shkodër, në bashkinë e Vaut të Dejës, në Pukë janë absolutisht as 3% e të gjitha investimeve që ka dërguar të zemë, në dy bashki socialiste, as 3 % të tyre. Pak ditë më parë unë pashë banorët e Dukagjinit, duke protestuar me të drejtë për rrugën. Në vitin 2013, qeveria ka lënë të gatshme, në ndërtim e sipër rrugën Hani i Hotit-Vermosh që kishte shkuar deri në Tamarë, rrugën Shkodër-Dukagjin e cila kishte shkuar deri në Prekal, rrugën Bogë-Theth që kishte shkuar përtej Bogës dhe po shkonte për në Thethit.
Ndërtoi urën këtu, e vërteta është mjaft e kushtueshme, mbi 6 mln euro, rikonstruksionin e rrugës Vau Dejës-Koman. Ku janë? Dy të parat janë drejt fundit, e Prekalit asnjë kilometër nuk është shtruar më tej. Dhe kanë paftyrësi të pretendojnë se ky qenka defekt i bashkisë. Në një kur bashkia, nuk ka, sepse është një aks kombëtar dhe bashkia nuk ka asnjë tagër për atë rrugë, lamë gati projektin dhe fondin. Po u nis një rrugë, financimi i saj garantohet para se të nisë ndërtimi.
Çfarë ndodhi me rrugën tjetër. E filluan rrugën Vau i Dejës-Koman. Kur një ditë deputeti e ngriti ndërprerjen e punimeve, si iu përgjigj ministrja në parlament; ajo tha, nuk është rrugë turistike, nuk ka punë me turizmin. Sikur ajo të ishte nga Zululandi mund të fliste në këtë mënyrë, por gjë më të turpshme të thuash ti, që rruga që lidh Vaun e Dejës që kalon buzë liqenit dhe e lidh me Komanin, liqeni i të cilit përbën absolutisht fjordin më të mrekullueshëm në Europë dhe të pretendosh se ajo nuk është një zonë turistike, të pretendosh se Alpet nuk paskan potencial turistik, ti ke një urrejtje të verbër ndaj asaj zone dhe vendi dhe turpëron çdo njeri që dëgjon.
I dhashë këto shembuj për të thënë se Edi Rama është një diskriminues i veriut. Ka krijuar disa grupe të cilat vjedhin si shushunja, ju ditën dhe natën. 120 familje socialistë dhe kryesocialistësh futen në kundërshtim me çdo ligj, futi në ndihmë kryetari socialist vetëm e vetëm për të blerë vota”, deklaroi Berisha.
Berisha theksoi se zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhje për çdo shqiptar, për t’i thënë “stop” vjedhjes.
“Shkoni në Pukë tek kryetari, se si investimet për banesat sociale, i kishin marrë të gjithë funksionarë të PS. Një pjesë e tyre banonin në Tiranë, i kishin ndërtuar si tip vilash me 3 kate dhe i jepnin si hotele në Pukë. Po sigurisht që i ndajnë paret me Gjonin ata. Zef këta që marrin jashtë çdo merite ndihmën sociale i ndajnë paret me kryetaren e qarkut. Nëse ti firmos në shkelje të ligjit, për paratë tuaja dhe e shef të qartë se po vidhen, ti do pjesën tënde se ndryshe kurrë nuk mund të firmosësh.
Ndaj dhe po vjen 14 maji. 14 maji është një ditë e një rëndësie të jashtëzakonshme. Këto zgjedhje janë më të rëndësishmet që nga viti 1992. Në këto zgjedhje vendoset fati i demokracisë.
Do pranojmë ne monizmin e Edi Ramës, pushtetin e tij absolut nga këshilltarët deri tek kryeministri, presidenti, gjykatat, policia apo të tjerë me radhë, apo si njerëz të besimit tek pluralizmit, demokracia, çfarë do që të jemi, demokratë, socialistë, pa parti do votojmë për pluralizmin, për demokracinë. Nuk do të harrojmë kurrë se kombet kanë patur në histori fatkeqësitë më të mëdha nga monizmat, ideologjike, doktrinarë, marksistë-lelinistë, nga monizmat teokratike, si ky që bazohet në krimin drogën dhe vjedhjen e qytetarëve.
Në këtë kontekst unë përshëndes bashkimin e demokratëve në Vaun e Dejës dhe u bëj thirrje gjithë qytetarëve të bashkohemi, se pluralizmi nuk është vetëm për demokratët, por për çdo shqiptar që i thotë dinjitetit të njeriut, dinjitet, që beson se liria krijon mundësi më të mëdha për njeriun. Që beson se Shqipëria vetëm si vend i lirë mund të zhvillohet.
Zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhje për çdo shqiptar për ti thënë stop vjedhjes monstruoze të qytetatëve shqiptarë nga kjo qeveri.
Të dashur miq!
Kjo që them nuk është propagandë. Kjo është e vërtetë në dokumente të sotme. Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka gjetur se në 9 muaj e parë të vitit 2022 janë vjedhur dhe shpërdoruar nga qeveritarët, zyrtarët 122 miliardë lekë. Fondi i pagave në vit në të gjithë Shqipërinë arrin në 97 miliardë lekë. Nëse kjo qeveri nuk do të vidhte, nuk do të vidhte 122 miliardë lekë, atëherë çdo rrogëtar shteti dhe i ndërmarrjeve publike, do të mund të mirrte një rrogë 130 % më të lartë. Po pse nuk e merr? Sepse fondet, vidhen dhe vetëm vidhen.
Sepse ato nuk shkojnë në rritje rrogash, pensionesh, por shkojnë në punë publike në të cilat dokumentet faktojnë se vjedhin gjer në 90% të shumës. Shkojnë në investime publike duke ndërtuar rrugë me 22 mln euro në fushë, në një kohë kur në të gjithë Europën, ajo ndërtohet kurrë më shumë se 2-3 mln euro.
Shkojnë duke ndërtuar rrugë anësore Lekaj-Fier me 7.1 mln kilometrin, në një kohë kur autostrada Shkëmbi i Kavajës-Fier është ndërtuar me 1.5-1.8 mln euro.
Shkojnë duke ndërtuar shkolla me 6 mln euro në Tiranë, në një kohë kur shkolla në manuale ndërtimi në Europë dhe SHBA, kushton 680-700 mijë euro maksimumi. Shkojnë pra të gjitha duke vjedhur qeveritarët në çdo tender”, dekalroi kreu i opozitës, Sali Berisha.




