ShBA: Rusia po synon ta destabilizojë Moldavinë përmes protestave, do një qeveri pro-Moskës
Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Rusinë se po tenton të destabilizojë ish-republikën sovjetike, Moldavinë, përfshirë edhe përmes protestave, me qëllim që eventualisht të instalohet një qeveri pro-Moskës.
“Ne besojmë se Rusia po ndjekë opsionet për të dobësuar qeverinë moldave, ndoshta me qëllim përfundimtar që të ketë një administratë më miqësore me Rusinë”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
Qeveria e Moldavisë po kërkon që të krijojë lidhje më të ngushta me institucionet perëndimore dhe është e afërt me Qeverinë pro-perëndimore të Ukrainës fqinje, e cila për më shumë se një vit po përballet me pushtimin rus.
Një pjesë e territorit moldav, rajoni i Transnistrisë, kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia dhe Uashingtoni beson se Moska po synon që të nxisë zgjerimin e jostabilitetit.
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, javë më parë ka thënë se inteligjenca ukrainase ka ndarë me autoritetet moldave një plan të Moskës, që sipas saj, synon një grusht-shtet në Moldavi.
