Zelenski refuzohet në “Oscars”, Akademia: Jo ndërhyrjes së presidentit Ukrainas për të dytin vit

Pas mesazheve të përcjella në Berlin, Kanë dhe Venecia, u duk se kësaj herë presidenti Ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të ishte pjesë edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscars”. Por organizatorët e kanë refuzuar kërkesën e tij për të dytin vit radhazi.

Kërkesa e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të përcjellë një video-mesazh në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscars” është refuzuar për të dytin vit radhazi nga Akademia e Filmave.

Mbrëmja e çmimeve të mëdha të kinemasë botërore, e planifikuar për më 12 mars, nuk do të ketë ndërhyrje të Zelenskit, pavarësisht pjesëmarrjes së tij nëpërmjet një videoje, në ndarjen e çmimeve “Grammy” dhe “Golden Globes”.

Mesa duket, ky refuzim, përkon me një rënie të mbështetjes nga publiku amerikan për kauzën e Ukrainës, ndaj dhe organizatorët janë treguar të kujdeshëm të ruajnë audiencën e tyre. Edhe pse në dhjetor Zelensky ishte në Uashington, ku u takua me Presidentin Biden dhe foli me Kongresin, ku mori garanci për ndihma prej SHBA-ve.

Kujtojmë se vitin e kaluar, paraqitja e tij në  mbremjen e çmimeve “Oscars” u refuzua nga producenti Will Packer, i frikësuar për interpretimet e kritikës.

Sipas tij, kjo do të nënkuponte se vëmendja e Hollivudit jep mbështetje vetëm për kauzën e një populli të bardhë, ndërsa shumë konflikte të tjera në mbarë botën, viktima të të cilave janë njerëzit me ngjyrë, shpërfillen sistematikisht. Megjithatë, gjatë ceremonisë pati një minutë heshtje për Ukrainën.

Më herët gjatë këtij viti, Zelensky u shfaq në hapjen e Festivalit të Berlinit, me prezantimin e dokumentarit "Superpower", nga aktori Sean Penn, si edhe në Kanë e Venecia.