Guantanamo, inxhinieri saudit lirohet pas 21 vitesh burg pa u akuzuar kurrë
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar lirimin nga burgu i Guantanamos të një inxhinieri saudit të arrestuar më shumë se dy dekada më parë si i dyshuar për sulmet e 11 shtatorit 2001, por që nuk është akuzuar kurrë.
Ghassan Al Sharbi, 48 vjeç, u arrestua në Faisalabad, Pakistan, në mars 2002 për lidhjet e tij me Al Kaedën.
Me lirimin e tij, 31 të burgosur të tjerë mbeten në Guantanamo.
Inxhinieri saudit Ghassan Al Sharbi ishte nën hetim pas sulmeve të vitit 2001, sepse ai "studionte në një kolegj aviacioni në Arizona dhe ndoqi shkollën e fluturimit me dy nga rrëmbyesit e 11 shtatorit".
Megjithatë, akuzat kundër tij u hoqën në vitin 2008.
Pentagoni vendosi në shkurt 2022 se 48-vjeçari, i lindur në Jeddah, mund të lirohej sepse ai nuk kishte "një rol udhëheqës" në Al Kaeda.
Departamenti i Mbrojtjes kishte rekomanduar që Al Sharbi të vihej në paraburgim nga autoritetet e Arabisë Saudite dhe t'i nënshtrohej "një sërë masash sigurie, duke përfshirë kufizimet e udhëtimit dhe monitorimin e vazhdueshëm".
Një vit më vonë, të mërkurën, më 8 mars, zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se e kishin kthyer me avion në vendin e tij, Arabinë Saudite.
Transferimi i Ghassan al Sharbi ishte i fundit për të zbrazur burgun ushtarak të Guantanamos nga ata të burgosur që nuk janë akuzuar apo nuk kanë vuajtur kurrë dënimet e tyre pas grumbullimit të ekstremistëve të dyshuar pas sulmeve të 11 shtatorit.
Zyrtarët amerikanë gjatë viteve e kanë përshkruar al Sharbin si një mbështetës dhe bashkëpunëtor të vendosur të Al Kaedës.

