Gjokutaj: Marrëveshja Meta-Berisha, strategjike dhe afatgjatë. Ja pse Celibashi duhet të shtyjë vendimmarrjen
Avokati i njohur Genc Gjokutaj shprehet i mendimit se marrëveshja parazgjedhore mes Ilir Metës dhe Sali Berishës është një marrëveshje strategjike dhe afatgjatë në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve!
Në një reagim përmes rrjeteve sociale, Gjokutaj shprehet se kjo marrëveshje nuk kushtëzohet nga vendime të paligjshme gjykatash të kapura dhe as nga vendime të paligjshme Komisionerësh të Zgjedhjeve.
“Marrëveshja e Partisë së Lirisë me Partinë Demokratike të Rithemeluar është një marrëveshje strategjike dhe afatgjatë në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve!
Ajo nuk kushtëzohet nga vendime të paligjshme gjykatash të kapura dhe as nga vendime të paligjshme Komisionerësh të Zgjedhjeve”, shprehet Gjokutaj.
Më pas, Genc Gjokutaj do të kishte dhe një mesazh për kryekomisionerin zgjedhor Ilirjan Celibashi lidhur me vendimmarrjen e sotme që pritet t’i japë fund dhe dilemës se cila prej dy PD-ve do të njihet në këto zgjedhje, ajo e Berishës apo ajo e Alibeajt.
“I nderuar zoti Komisioner i Zgjedhjeve! Ju sot do vendosni për regjistrimin e subjekteve zgjedhore! Uroj të jini sa me ligjor ne kete vendimmarrje!
Por ju lutem konstatoni me vëmendje dhe kujdes se njëri nga subjektet kërkues ka 2 kryetarë! Njëri figuron në Gjykatë, por mandatin e Kryetarit e ka në gjyq, e ka shkarkuar Kuvendi i 11 dhjetorit, dhe si të mos mjaftonin këto ka dhënë edhe dorëheqjen! Tjetri, përveçse ndihet Kryetar ka edhe autorizim nga i pari!
Vështirë do ta kini, por ju lutem nëse nuk e kini lexuar librin “Kandidati” të Ben Blushit, shtyjeni vendimmarrjen!”, shprehet avokati Genc Gjokutaj.






