DEA amerikane në Tiranë, ministri Manja: Shenjë e mirë bashkëpunimi
Ministri Manja e ka quajtur një shenjë të mirë praninë e Agjencisë Amerikane të Antidrogës DEA në Tiranë. Sipas tij vendosja e kësaj zyre në vendin tonë dhe thirrja për denoncime tregon besueshmeri dhe vullnet për bashkëpunim.
Thirrja e zyrës së Agjencisë Amerikane të Antidrogës, DEA në Tiranë për denoncime nga qytetarët ndaj rasteve të trafikut të lëndëve narkotike ka sjellë edhe reagimin e parë të kabinetit qeveritar.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, e ka quajtur praninë e DEA-s në Tiranë, si një shenjë të fortë bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe autoriteteve amerikane.
Manja: Unë e konsideroj si shenjë e besimit të fortë të autoriteteve të DEA-s me institucinet shqiptare. Bashkëpunimi i deritanishëm i agjencive ligjzbatuse shqiptare me DEA-n por edhe të gjithë misionet e tjera që janë në Shqipëri, është shenjë e fortë e bashkëpunimit me institucionet tona dhe e forcimit të këtij bashkëpunimi.
Manja tha se ka një vullnet serioz për të goditur kurrupsionin dhe krimin e organizuar.
Manja: Ka një vullnet serioz të Agjencive ligjzbatuese, por edhe qeverisë shqiptare për të goditur fort korrupsionin dhe krimin e organizuar në këtë vend.
Pak ditë më parë, Ambasada e SHBA njoftoi se DEA është zhvedosur në Tiranë, ku oficerët e saj do të merren me ndjekjen e rasteve të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Në njoftim ftoheshin të gjithë qytetarët që në numrin e telefonit dhe adresën e e-mailit të adresojnë denoncimet apo informacionet që kanë në lidhje me rastet e trafikut të drogës.
Të gjithë denoncuesve u garantohet anonimati, ndërkohë që vendosja e zyrës së DEA-s në Tiranë vjen pas kapjes së sasive të mëdha të kokainës vitet e fundit në portin e Durrësit në anijet me banane që mbërrijnë në vendin tonë.
