Berisha: Ne jemi në një revolucion, do të bëjmë gjithçka që ta largojmë Edi Ramën nga pushteti

Në një takim me demokratët e Tiranës, kreu i PD-së, Sali Berisha tha se tashmë vendi është futur në një revolucion demokratik paqësor.

Ai tha se kjo një rrugë tjetër për përmbysjen e kësaj kufome politike që quhet Edi Rama, i cili ka arritur në një stad, që kundërmon në Shqipëri, rajon dhe mbarë botën.  

Berisha: Ne sot jemi në një revolucion demokratik paqësor. Jemi në një revolucion se asnjë njeri nuk mund të na thotë ne, një rrugë tjetër për përmbysjen e kësaj kufome politike që quhet Edi Rama, i cili ka arritur në një stad, që kundërmon në Shqipëri, rajon dhe mbarë botën. Ka arritur në një stad që i lejon vetes të bëjë çdo gjë. Ka arritur në një stad që përbën rrezik real për çdo shqiptar. Ka arritur në një stad i cili në vend që të ishte vetëarkivuar për ato që ka kryer, përpiqet që të mbahet në çdo fije bari për të shtyrë mbijetesën e tij, qoftë edhe si kufomë politike siç është sot.

Ndaj dhe ne jemi të angazhuar në këtë lëvizje të fuqishme, paqësore, e cila do të vazhdojë deri në ditën e përmbysjes së këtij despoti, e këtij krim-ministri i cili nuk njeh asnjë ligj, asnjë parim, asnjë kufizim, asnjë normë, kur vjen puna për pushtetin e tij, për pasurimin e tij, kur vjen puna për të goditur kundërshtarët dhe vlerat e demokracisë.  Atëherë ne do të jemi në këmbë, do të përballemi me të, do të bëjmë gjithçka që ta largojmë nga pushteti. Edi Rama dhe suita e tij janë një grup pushtetarësh të cilët nëse ju i vëreni, i studioni me kujdes, rrezatojnë urrejtje ndaj qytetarëve shqiptarë në çdo akt, veprim dhe vendim.