Kina thotë se mbi 10 balona amerikane fluturuan në hapësirën e saj ajrore
Kina tha të hënën se më shumë se 10 balona amerikane kanë fluturuar mbi hapësirën e saj të lartë ajrore gjatë vitit të kaluar, pa lejen e saj, pas akuzës së Uashingtonit se Pekini po operon një flotë balonash vëzhgimi në mbarë botën.
Pretendimi kinez vjen pasi SHBA-ja rrëzoi një balonë të dyshuar spiune kineze që kishte kaluar nga Alaska në Karolinën e Jugut, duke ndezur një krizë të re në marrëdhëniet dypalëshe që kanë arritur në nivelin më të ulët në dekada.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin nuk dha detaje në lidhje me balonat e supozuara të SHBA-së.
“Është gjithashtu e zakonshme që balonat amerikane të hyjnë ilegalisht në hapësirën ajrore të vendeve të tjera”, tha Wang në një konferencë të përditshme. "Që nga viti i kaluar, balonat e SHBA-së në lartësi të mëdha kanë fluturuar ilegalisht mbi hapësirën ajrore të Kinës më shumë se 10 herë pa miratimin e autoriteteve kineze", shtoi ai.
Wang tha se SHBA duhet “së pari të reflektojë për veten dhe të ndryshojë mënyrën e diskutimit, në vend që të njollosë dhe të nxisë një konfrontim”.
Kina thotë se balona e rrëzuar nga SHBA ishte një aeroplan pa pilot i krijuar për kërkime meteorologjike që ishte zhvendosur nga kursi për shkak të erërave të forta. Ajo ka akuzuar SHBA-në për reagim të tepruar duke e rrëzuar atë, dhe kërcënoi se do të ndërmarrë veprime, por nuk saktësoi se cilat janë ato.
Pas incidentit, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shtyu vizitën e planifikuar për Pekin, që ishte paraparë të ndodhte disa ditë pasi u zbulua balona e parë. Ky do të ishte udhëtimi i parë i një kryediplomati amerikan në Kinë për shumë vjet.
Gjithashtu të hënën, Filipinet akuzuan se një anije e rojes bregdetare kineze kishte shënjestruar një anije të rojes bregdetare filipinase me një lazer të shkallës ushtarake dhe verboi përkohësisht një pjesë të ekuipazhit të saj, duke e quajtur atë një shkelje "të hapur" të të drejtave sovrane të Manilës.
Wang, në anën tjetër tha se një anije e rojes bregdetare të Filipineve kishte shkelur në ujërat kineze pa leje më 6 shkurt dhe se anijet e rojes bregdetare kineze u përgjigjën "profesionalisht dhe me përmbajtje"./REL