"S`ka shqiptarë të prekur nga tërmeti" Zukali: Situata shumë e rëndë, mbi 1000 godina të dëmtuara

Turqia dhe Siria janë goditur nga një tërmet i fuqishëm mëngjesin e  sotëm.

Tërmeti 7.8 ballë la të vdekur 520 persona dhe mbi 2600 të plagosur teksa kërkimet vazhdojnë për njerëz nën rrënoja.

Kryetari i shoqatës "Vatra" të shqiptarëve në Stamboll, Bora Zukali në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News u shpreh se situata është shumë e rëndë dhe ka dëme të shumta jo vetëm në ndërtesa, por dhe në rrugë e autostrada.

"Rrugët autostradat janë rrëzuar, kjo është problem për të transportuar të mbijetuar. Shkollat janë mbyllur për dy javë në zonat ku ka rënë tërmeti. Populli po punon për të nxjerrë njerëzit nga ndërtesat e rrëzuara.

Situata është shumë e rëndë," tha ai.

Sipas tij, deri tani nuk raportohen për shqiptarë të dëmtuar apo vdekur.

"Në Mallatja, Adana, Hataj, Marash, ka lagje shqiptarësh që jetojnë atje. Sot kam komunikuar me kryetarën e shoqatës së shqiptarëve atje dhe të gjithë shqiptarët janë mirë deri tani dhe nuk raportohet për viktima apo banesa të dëmtuara," tha ai.