ShBA kundër Rusisë në lojërat olimpike 2024, Shtëpia e Bardhë: Sportistët e tyre të garojnë si neutralë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë kundër pjesëmarrjes së Rusisë dhe Bjellorusisë në Lojrat Olimpike të Parisit vitin e ardhshëm. Shtëpia e Bardhë tha se sportistët rus dhe bjellorus mund të garojnë vetëm si neutralë.

Kur na ndajnë dhe rreth 1 vit nga starti i Lojërave Olimpike, që kësaj radhe do të mbahen në kryeqytetin e Francës, Paris, shumë vende anëtare të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, i kanë bërë thirrje këtij institucioni që të mos lejojnë Rusinë dhe Bjellorusinë që të marrin pjesë në këto Lojëra Olimpike. Shkaku dihet tashmë dhe është lufta e agresioni i paprovokuar rus në Ukrainë.

Shumë vende, ku mes tyre edhe Ukraina kanë kërcënuar madje se do të bojkotojnë “Paris 2024”, nëse Rusia lejohet të marrë pjesë.

Së fundmi, një ndër vendet që kërkojnë mospjesëmarrjen e këtyre 2 shteteve, janë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean Pierre tha se nëse Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të lejojë sportistët e këtyre vendeve, atëherë ata duhet të garojnë si neutralë, pa flamujt dhe simbolet identifikuese të shteteve.

Karine Jean Pierre: Ne kemi mbështetur që në fillim pezullimin e Rusisë dhe Bjellorusisë nga eventet e ndryshme sportive, apo përjashtimin e tyre nga Federatat ndërkombëtare. Nuk duhet të kthehemi pas tani. Sportistët mund të garojnë dhe marrin pjesë si neutral, por absolutisht pa shfaqur flamujt apo simbolet e vendeve të tyre.

Ai që e hodhi këtë ide ishte kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, i cili u shpreh se Rusia dhe Bjellorusia mund të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Një ide e tillë kundërshtohet me forcë nga Ukraina.