Lezha si fshat i harruar/ Te “Ish-Frutorja” mungon infrastruktura, banorët: Jemi ankuar me dhjetëra herë në bashki
Lagjet e Lezhës janë lënë në harresë nga Bashkia e drejtuar nga Pjerin Ndreu. Në zonën e ish-Frutores, pak kilometra nga qendra e qytetit, rrugët janë lënë në mëshirë të fatit, ndërsa qytetarët shprehen të shqetësuar për situatën. Ata thonë se janë ankuar disa herë në Bashki, por deri më tani thirrjet e tyre nuk kanë gjetur zgjidhje.
Nuk janë pamjet e ndonjë fshati të thellë malor, por të lagjes ish-frutore në periferi të qytetit të Lezhës.
Lëvizja e këmbësorëve dhe automjeteve në këtë zonë është mjaft e vështirë, për shkak të mungeses së infrastrukturës.
Në kohë me shi, rrugët bëhet të pakalueshme nga prezenca e ujit dhe baltës.
Kjo problematike është prezente prej 30 vitesh, duke vështirësuar jetesën e banorëve në këtë zonë që ndodhet pranë qytetit.
Banorët: "Shumë e vështir është, në balt jemi. Kjo situatë kështu ka që me demokracinë, ka shumë vite. Nuk ka investuar asnjë.
Tepër e vështirë, kur bie shi këtu do ecësh ose në këmb, ose me fuoristrada të larta, se nuk mund ta përballosh situatën me ujin.
Problematika e kësaj rruge është shumë e madhe për banorët e kësaj lagje"
Ankesat e banoreve drejtuar pushtetit vendor kanë qenë të vazdueshme, por veç premtimeve asgjë nuk ka ndryshuar.
Banorët: "20 vite që nuk ka asnjë lloj investimi, 20 vite. Jemi hankuar në Bashki, si me Partinë Demokratike, si me këta që janë sot asnjë gjë. Kam takuar personalisht nënkryetaren dhe na kanë thënë që do ta shikojmë , do ta bejmë, presim...
Por deri më sot, asnjë gjë.
Jemi hankuar në Bashki mbi 10-15 herë".
Në këtë zonë nuk është parashikuar të ketë investime as me buxhetin e këtij viti, pasi Bashkia Lezhë është në pritje të ndërhyrjeve në sistemimin e kanalizimeve të ujerave të bardha dhe të zeza, përmes KFV Gjermane.

