Evropa "ngrin" pranimin e Ukrainës
Zyrtarët e lartë evropianë do të udhëtojnë në Ukrainë këtë javë për një samit dy ditor në Kiev më 9 dhe 10 shkurt, por ata duket se nuk po i bëjnë asnjë premtim vendit të shkatërruar nga lufta se së shpejti do të jetë në gjendje të bashkohet me Bashkimin.
Në mënyrë të veçantë, në një draft të deklaratës që do të bëhet publike në lidhje me Samitin, dhe të cilën Politco arriti ta siguronte, nuk i referohet specifikisht planit ambicioz dyvjeçar të vendosur nga Ukraina.
Në vend të kësaj, ka vetëm garanci të paqarta për çuarjen përpara të procesit pasi të përmbushen të gjitha pikat kryesore të BE-së.
“BE do të vendosë për hapat e mëtejshëm pasi të plotësohen plotësisht të gjitha kushtet e përcaktuara në pozicionin e Komisionit. Ukraina ka nënvizuar vendosmërinë e saj për të përmbushur kërkesat e nevojshme për të nisur sa më shpejt negociatat e anëtarësimit”, thuhet në draft.
Dokumenti thekson gjithashtu nevojën për "zbatim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të reformave gjyqësore" në përputhje me këshillën e Komisionit të Venecias, duke përmendur, në veçanti, nevojën për të reformuar Gjykatën Kushtetuese të Ukrainës.
Megjithëse Ukraina njoftoi kohët e fundit ndryshime në gjyqësorin e saj, veçanërisht në mënyrën e emërimit të gjyqtarëve, Komisioni i Venecias, një organ i shquar këshillues që përfshin ekspertë të ligjit kushtetues, mbetet i shqetësuar për kompetencat dhe përbërjen e organit që përzgjedh kandidatët e gjykatës.
Qershorin e kaluar, liderët e BE-së i dhanë Ukrainës statusin e kandidatit zyrtar në një kohë rekord, por kjo lëvizje ishte shumë më e lehtë se kalimi i shpejtë i Ukrainës në negociatat rraskapitëse të kërkuara për të sjellë një vend kandidat në përputhje me sistemet, rregullat dhe rregulloret e BE-së.
Ky proces zakonisht zgjat me vite dhe shpesh ndalon për periudha të gjata kohore.
