Tiranë, kapet me doza kokaine, arrestohet 30-vjeçari në zonën e Unazës së Re

Finalizohet operacioni policor i koduar “Collaboration”, për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së drogave të forta. 

Policia ka vënë në pranga 1 shtetas që shpërndante doza kokaine, ku janë kapur gati për shitje, rreth 90 gram sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë në proces për tu ndarë në doza.  

“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Collaboration”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. Sh., 30 vjeç, banues në Tiranë. Në Unazë të Re, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin E. Sh. Gjatë kontrollit në automjet, u gjet dhe u sekuestrua sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës dhe të ambientit ku punonte 30-vjeçari, u gjetën sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje, dhe një peshore elektronike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike, e shpërndante atë në doza, në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Unazë të Re.” – njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.