Lirimi me kusht, gjyqtari Florian Kalaja trajton dënimin me burg të përjetshëm

Lirimi me kusht shihet nga gjyqtari Florjan Kalaja si një politikë integruese për të dënuarit.

Në librin e pestë të gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e konsideron këtë vendim si një  institut i të drejtës penale që mëshiron qëllimin e dënimit.

"Nuk është tagër ekskluziv i Kuvendit ta njohë apo jo. Pse? Sepse lirimi me kusht është i vetmi institut në të drejtën penale që tregon humanizmin apo që mishëron qëllimin kushtetues që dënimet penale do të duhet të përfaqësojnë nëpër shtetet e të drejtës."

Për Ardian Dvoranin, lirimi me kusht është një vepër komplekse që mund të përdoret në fusha të ndryshme.

Dvorani e konsideron si një pasuri të shtuar për doktrinën e debatit juridik.

"Është një punim që sjell vlera për ndërgjegjësimin qytetar, për doktrinën, për jurisprudencën dhe praktikën gjyqësore lidhur me mënyrën sesi duhet të jetë qasja e të dënuarve për kryerjen e veprave të ndryshme penale."

Ndërsa profesor Artan Hoxha thotë se shkrimet e Florjan Kalajës janë të thjeshta dhe të qarta edhe për lexuesit jo të kualifikuar.

"Më ka tërhequr vëmendjen për angazhimin qytetar por edhe për qartësinë dhe thjeshtësinë e trajtimit të tyre për lexuesin jo të kualifikuar."

Florjan Kalaja ka nisur punën për këtë libër në 2019 dhe ka shkruar për të në çdo kohë dhe në çdo vend derisa "Lirimi me kusht" pa dritën e botimit në nëntor të 2022.