Dakord me gallatën, po me institucionin si do ja bëjmë?!

Përtej gallatës online dhe moralit që bëhet me sentencën "kap hajduti hajdutin", më tërheq vëmendjen dimensioni skandaloz zyrtar dhe institucional i trajtimit të çështjes.

Pra, një person denoncon në polici se i janë vjedhur para dhe sende me vlerë. Dy ditë më vonë gjendet në media në rrjete sociale. Diskutohet çdo detaj në publik, që duhet të ishin konfidencialë, pjesë e punës gjurmuese të policisë dhe hetimore e prokurorisë.

Kulmi!

Vetëm institucion, ligj e shtet nuk mund të quhet kjo sjellje. Profesionalizëm e besueshmëri jo e jo.

Tani si denoncuesja ashtu edhe e denoncuara janë pjesë e gjykimit popullor, pa lidhje me ligjin dhe të drejtën.

E gjitha kjo falë sjelljes aspak ligjore dhe profesionale e Policisë dhe Prokurorisë së shtetit.

Miq, e kuptoj dëshirën për gallatë. E kuptoj edhe nevojën për të bërë e shitur moral. Që të jem korrekt me veten, bashkohem me gallatën dhe me një pjesë të mirë të moralistëve online.

Por, ligji dhe sjellja institucionale e shtetit është DOMOSDOSHMËRI.

Nëse nuk kuptojmë dot kaq, nuk ka shans të kemi shtet ndonjëherë.

Çfarë po na thotë shteti, që denonconi tek unë se ju nxjerr në pazar?! Si thoni për këtë moral, vlen apo jo?!

Kush do denonconte në një Polici të tillë që të nxjerr në pazar çdo gjë?! Këta duan të bëjnë dhe amnisti financiare, pa le!

Sa më takon mbetem përkrahës i institucionit solid, profesional të drejtë e të besueshëm. E di që ky lloj institucioni nuk ekziston ende, ndaj më shumë më shqetëson kjo sesa gallata e radhës me "Tiren" biss.

Jam i bindur se nëse Policia dhe Prokuroria do kishin qenë profesionalë dhe konfidencialë, sot do ishin nën hetim, ndoshta edhe arrest si pastruesja ashtu edhe e pastruara.

Mirëpo tani e kanë kompromentuar keq dhe shumë keq këtë çështje. Çdo veprim që bëhet tani e në vijim duket sikur bëhet për ti bërë qejfin gallatës popullore.

Nëse dikujt i ka mbetur njëfarë kulture shteti dhe ligji, ata policë dhe prokurorë që u morën me këtë çështje duhen pezulluar menjëherë dhe duhen vënë nën hetim skrupuloz.

Besimi në institucione nuk vjen kurrë me nxjerrje të dhënash në milet. Përkundrazi konfidenca e profesionalizmi rrisin besimin e publikut në institucione. Mbi profesionalizëm, ligj e konfidencë bëhet edhe transparenca.

Nuk jam në asnjë rrethanë me drejtësinë popullore!