Im atë dhe shteti i të paktëve

Në dhjetor të 2021 kam dorëzuar pranë institucioneve përkatëse të gjitha dokumentet për rivlerësimin e gjendjes së verbërisë së babit tim.

Edhe pse i verbër letrat u bënë në Kukës, Durrës e Tiranë dhe u nisën nga njësia administrative për më Shërbimin Social më Tiranë e më pas më CEMP-in epror të verbërisë.

Pasi kaluan 6 muaj dhe askush, askush nuk u kujtua të më informojë për dosjen e tim eti.

Me datën 11 qershor i kam dërguar një sms Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, jo për t’i kërkuar ndihmë, por për t’i thënë se institucionet nën varësinë tënde nuk po funksionojnë.

Një orë më vonë kam komunikuar me një drejtues të shërbimit social (emrin dhe pozicionin nuk e di) dhe më ka thënë që brenda muajt do komisionohet dosja.

Me 1 korrik i shkruajta që askush nuk më mori për dosjen, dhe më tha që “Do ri thërritet atëherë ne muajin Korrik”

Me 21 korrik i kam shkruar përsëri, dhe më vonë jam lajmëruar me 26 korrik im atë do të komisionohet.

Atë ditë shkova unë, dhe u thash që im atë nuk lëviz prej javësh, për shkak se është prekur nga Tumori në mushkëri dhe është e pamundur lëvizja e tij dhe sjellja në komision.

Një anëtar komisioni më tha që “ne nuk kemi asnjë bazë ligjore çfarë duhet bërë për të verbërit që nuk ngrihen nga shtrati”, dikush tjetër më tha “po meqenëse babi qenka duke vdekur qe do CEMP-in”.

Ika dhe i bëra një kërkesë Zyrtare ministres dhe Shërbimit Social për të zgjidhur situatën.

Të nesërmen 27 korrik im atë vdiq.

Mendja ime më thotë se duhet hedhur në erë çdo institucion që nuk i shërben popullit të tij, aq më pak të sëmurëve që nuk ngrihen dot nga krevati. Ç’dreqin e do një shtet që nuk interesohet për qytetarët e tij? Ç’dreqin duhet një institucion veç për të torturuar të sëmurët e këtij vendi?

Por, sigurisht që nuk do i hedh në erë, por do lutem që një ditë të gjithë atë zinxhir personash t’i shoh duke vuajtur në burg dhe askush të mos ketë mëshirë për ta.

Uroj që ato rroga që marrin nga taksat e mija, dhe që nuk i kthejnë në shërbime për babain tim, tu kthehen mallkim për ta.

Mallkuar o të mallkuar!