Plazhet brenda zonave të banuara
Plazhet po kthehen ne problemin më të madhe të turizmit në vend. Praktikisht po rrezikojnë punën dhe investimet e dhjetëra mijëra njerëzve e familjeve që merren me turizëm.
Plazhet po kthehen në burim konflikti. Po vriten njerëz për plazhet. Rrihen përditë kudo gjatë vijës bregdetare duke shpërfaqur te turistët skena dhune traumatike.
Plazhet po kthehen në sabotuesin më të madh të turizmit në vend. E has kudo këtë shqetësim. Nuk është vetëm punë pagese, por dhe dinjiteti.
Pushuesit mund ta zgjedhin restorantin ku konsumojnë drekën. Nëse nuk u pëlqen diku, shkojnë diku tjetër. Është shtrenjtë diku, e ndërrojnë me një tavernë tjetër.
Pushuesit mund ta zgjedhin dhe dhomën apo hotelin ku do rrinë sipas mundësisë financiare.
Por, nuk mund t'i imponosh pushuesit të zgjedh plazhin që ti do sepse dikush do të fitojë më shumë. Plazhi është pasuri publike... edhe me ligj madje. Plazhi është arsyeja kryesore pse pushuesi zbret në bregdet, ndaj dhe pushuesi ka të drejtë të zgjedh.
Sigurisht që ofrimi i shërbimit me shezlonge dhe çadra duhet paguar si çdo shërbim, por kurrë nuk mund të kthehet në detyrues aq më shumë në zaptim total. Duhet të jetë në çdo rast zgjedhje.
Qytetarët e qyteteve bregdetare jetojnë ngjitur me detin, por nuk shkojnë dot në det. E pafalshme!
Kjo do rregullim. E shikoj si pikën më të dobët të turizmit tonë pjesën e menaxhimit të plazheve.
Është dështuar të gjendet një e mesme e artë mes publikes dhe privates.
Një zgjidhje do të ishte që plazhet të jenë publike në parim dhe privatit t'i jepej e drejta të kishte shezlonge dhe çadra të stivosura në një cep e kushdo donte të porosiste shezlong apo çadër ta paguante. Imponimi është gabim.
