Rastet COVID-19 këtë fund qershori të pritshme, Alimehmeti: Në korrik do të kemi një rritje të infektimeve

Për mjekët shtimi i rasteve COVID-19 këtë fund qershori në Shqipëri ishte i pritshëm.

Ilir Alimehmeti: 4 javë më parë filloi rritja e rasteve në Angli, Francë, Gjermani  dhe është krejtësisht normale që me ndonjë javë distancë të hyjë dhe në Ballkanin Perëndimor. Në Shqipëri kemi rreth dy javë që shohim dyfishim të rasteve çdo 5 ditë.

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti thotë se infektimet do të rriten ndjeshëm edhe gjatë muajit korrik. Kjo do të pasqyrohet dhe me shtimin e pacientëve të shtruar dhe në spitalin COVID 3.

Ilir Alimehmeti: Në korrik do të kemi një rritje të rasteve, ndoshta në javën e dytë dhe të tretë dhe pastaj fillon rënia dhe kjo do të përkthehet me të njëjtën trajektore të rasteve të rasteve spitalore por lehtësisht të spostuara përpara në kalendar. Fatmirësisht shumica dërrmuese e rasteve paraqiten lehtë.

Nisur nga shenjat klinike të të prekurve, Alimehmeti thotë se nga shenjat në qarkullim janë nënvariantet e OMICRON.

Ilir Alimehmeti: Është BA5, BA4. BA5 është në rritje në Europë. Aktualisht 37 për qind e rasteve janë BA5 ndërkohë që BA2 po tkurret gjithnjë e më shumë.

Të hënën në Shqipëri u rregjistrua viktima e parë pas gati 40 ditësh gjatë të cilave nuk ishte shënuar asnjë fatalitet.