Miliarderi Elon Musk thotë se do të ndërrojë partinë për të cilën voton
Themeluesi i Tesla-s, Elon Musk tha se do të votojë për kandidatët republikanë në zgjedhjet e ardhshme, parti të cilën nuk e kishte votuar kurrë dhe se votat e tij gjithnjë kanë qenë për Partinë Demokratike.
Elon Musk: Unë do ta klasifikoja veten si një i moderuar, as republikan apo demokrat. Dhe në fakt, unë kam votuar me shumicë dërrmuese për demokratët historikisht. Mund të mos kisha votuar kurrë për një republikan, thjesht për të qenë i qartë. Në këto zgjedhje do e bëj.
Musk vazhdoi të argumentonte se oferta e tij për të blerë platformën gjigante të rrjeteve sociale për 44 miliardë dollarë nuk ka të bëjë me marrjen e krahut konservator siç frikësohet e majta në Shtetet e Bashkuara.
Elon Musk: Oferta ime për të blerë Twitterin nuk është një marrje e krahut të djathtë, siç mund të frikësohen disa njerëz në të majtë por është një përpjekje për të siguruar që njerëzit e të gjitha bindjeve politike të ndihen të mirëpritur në një shesh digjital. E majta aktualisht është shumë paragjykuese ndaj Twitter.
Ndërsa është e paqartë nëse Musk iu referua zgjedhjeve të ardhshme afatmesme të nëntorit apo atyre presidenciale të vitit 2024, ai tha se Partia Demokratike është e kontrolluar nga sindikatat dhe avokatët.
Planet e Musk për të blerë Twitter u hasën me një pengesë në ditët e fundit, për shkak të një mosmarrëveshjeje mes kompanisë dhe biznesmenit për llogaritë e rreme, të cilat sipas miliarderit përbëjnë bazën kryesore të përdoruesve.
