Në Fier PS do të ketë bashkëdrejtues, një burrë e grua, Balla: Në 2023 rikonfirmohemi në të gjitha bashkitë e qarkut

Të 61 degët e Partisë Socialiste kanë hyrë në një proces zgjedhor, për të nxjerrë drejtuesit e rinj të kësaj force politike në nivel lokal. Pavarësisht se statuti i PS-së i ndalon, Rama i ka dhënë të drejtë edhe kryebashkiakut, ministrave apo deputetëve për të drejtuar Tiranën.

Për tu bërë gati për vendoret e vitit të ardhshëm, Partia Socialiste ka vendosur që t’i çojë strukturat e saj në 61 bashki në një proces zgjedhor.

Kryesocialisti Rama i shkarkoi të gjithë drejtuesit e PS në bashki për t’u dhënë atyre mundësinë të garojnë sërish për këtë post, si dhe për të afruar kandidatë të rinj.

Deri më 25 maj, kandidatët do të duhet të dorëzojnë aplikimet e tyre për të dretjuar këtë forcë politike në nivel lokal.

Taulant Balla: Përmbyllet i gjithi deri në shtator po të kemi parasysh dhe këshillat socialistë të njësive administrative.

Ndryshe nga 60 bashkitë e tjera, e drejta për t’u futur në garë për drejtimin e Tiranës do t’u jepet edhe ministrave, kryebashkiakut si dhe deputetëve.

Socialistët kanë menduar që në bashkitë ku do të jetë e mundur, drejtimi i partisë të bëhet nga një burrë dhe një grua.

Taulant Balla: Në qarkun e Fierit PS do të ketë bashkëkryetarë një zonjë apo zotëri. E rëndësishme është dhe përzgjedhja e një sekretari organizativ në nivel qarku e bashkie. Eshtë shumë e rëndësishme të jetë garë e hapur.

Përveç zgjedhjeve për kryetarët e PS-së në bashki, selia rozë do të zgjedhë në 61 bashkitë edhe sekretarët ekzekutiv.

Për këtë proces, i cili do të zhvillohet paralel, kandidatët kanë afat që deri në mes të qershorit të dorëzojnë propozimet e tyre.

Mazhoranca, duke përfituar edhe nga problemet e brendshme të PD, parashikon fitoren e PS në zgjedhjet e ardhshme vendore, ndërsa përfaqësuesit e saj thonë se kanë ndezur motorët e fushatës.

Taulant Balla: Unë do të jem vetë në gjitha mbledhjet. Ky kalendar përmbyllet deri në shtator. 49 njësi administrative do të zgjidhen drejtues efikasë. Më pas nis procesi i përzgjedhjes dhe përgatitjes për zgjedhjet vendore të 2023. Nuk ka asnjë rezultat tjetër përveçse synojmë të rikonfirmohemi në të 6 bashkitë e qarkut Fier.

Arben Ahmetaj: Ne kemi filluar dhe fushatën për zgjedhjet vendore të vitit tjetër.