Tritol për konflikte pronësie, dy të rinj Fushë-Kruja në gjyq për sulmin ndaj kompleksit në Shëngjin
Dy të rinj nga Fushë Kruja do të përballen me drejtësinë për sulmet me eksploziv përgjatë vitit 2020 të një kompleksi në ndërtim tek Rana e Hedhun në Lezhë. Shkak i sulmeve, sipas hetimit ishin konfliktet e pronësisë për truallin.
Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet duke vënë dy persona nën akuzë për sulmin me eksploziv ndaj një kompleksi në ndërtim në zonën e Ranës së Hedhun, ngjarje e muajit Nëntor 2020.
Dosja hetimore është dërguar për gjykim me të pandehur shtetasit Angli Stafuka dhe Erald Pajtani që të dy banues në Fushë-Krujë.
Ndaj tyre janë ngritur akuzat "Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” e kryer në bashkëpunim.
Sipas burimeve prokuroria ka arritur të provojë se këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin janë autoret e vendosjes së eksplozivit në objektin në ndërtim në pronësi të biznesmenit Liman Gjoka në zonen e Ranës së Hedhur në Shëngjin.
Fillimisht u ndalua nga policia Erald Pajtani dhe pas hetimeve 7 muaj pas ngjarjes u zbulua dhe arrestua dhe bashkëpunëtor i tjetër 21-vjeçari Angli Stafuka.
Dy të rinjtë i kanë mohuar në vazhdimësi akuzat e ngritura ndaj tyre, duke deklaruar se nuk kanë lidhje me ngjarjen, por referuar dosjes hetimore prokuroria, përmes pamjeve filmime dhe qelizave telefonik ka arritur të zbulojë implikimin e dy të ringjeve në tritolvënie.
Objekti në ndërtim i biznesmenit Liman Gjoka u sulmua dy herë me lëndë plasëse, konkretisht në muajit nëntor dhe dhjetor të vitit 2020, ndërsa për shpërthimin e dytë ende nuk është arritur të zbardhet.
Shkak i këtyre ngjarjeve dyshohet të jenë bërë konfliktet e pronësisë në lidhje me truallin ku po ndërtohej objekti disa katesh.

