Studenti Gëzim Shuli rrëfen si humbën në mal për 6 orë, tregon si i panë meteorët kur rrëzohen
Për të gjithë ata që kërkojnë përvoja të reja dhe të ndryshme,e shpesh herë edhe të rrezikshme një alternativë është turizmi i aventurës , mbetet një nga opsionet më të mira që ofron adrenalinë dhe kënaqësi maksimale. Të ftuar sot në studion e “Jeto me Orën” ishin Lyto Alliu dhe Gëzim Shuli dy të apasionuar pas turizmit të aventurës të cilët treguan më tepër rreth këtij pasioni.
Njëri është mësues e tjetri student por prej vitesh eksplorojnë duke praktikuar ngjitjen në mal dhe jo vetëm. Lyto Alli tregoi sesi nisi e gjitha.
“Nisi nga parku i Sherbenikut pasi ne aty duam të thithim sa më shumë turista në këtë park dhe jo vetëm. Dhe dëshira e madhe për të treguar bukurit e vendit na bëri bashkë me Gëzimin “ u shpreh Alliu.
Ndërsa Gëzimi tregoi edhe aventurën më të veçantë për të.
“Ishim 20 veta duke u nisur për në parkun e Sherbenikut dhe u nisëm vetëm me harta dore dhe humbëm rrugën” u shpreh Gëzim Shuli. Ndërsa Lyto Alliu tregoi se në të tilla raste ka nevojë për një guidë lokale.
“Ndaj në të tilla raste ka nevojë shumë për një guidë lokale” u shpreh Alliu. Të pyetur se kush ka qenë aventura e tyre më e bukur ata u shprehën se ishte kampi i kësaj vere ku kishin parë yjet.
“Këtë kamp e organizuam ne dhe ishte shumë i bukur madje kishim edhe shumë turist të huaj. Bëmë një shkëmbim kulturash me ta ata na tregonin kërcime të tyre e ne vallet tona dhe shumë aktivitete të tjera. Kemi mbetur shumë të kënaqur. Madje njerëzit kanë shumë dëshirë të bëhen pjesë e kampeve, kanë goxha interesim, e kanë kuptuar vlerën e këtyre eksperiencave por ka edhe nga ata që nuk e duan një aktivitet të tillë” u shpreh Alliu.
Lyto tregoi edhe një rast kur u detyruan të kthehen nga udhëtimi.
“Ishte kur u nisëm për në liqenin e akullnajave të Rrajcës ishte shumë dëborë dhe poshtë dëborës kishte ujë dhe mund të rrezikonim jetën ndaj edhe u detyruam u kthyem” u shpreh Alliu. Madje ata treguan se grupmoshat janë të ndryshme duke patur me vete edhe fëmijë të cilët e kanë ngjitur vetë malin pa ndihmën e askujt.
Alliu tregoi edhe vendet që preferojnë më tepër “Mali Thatë, Thethi ,Valbona dhe shumë vende të tjera na impresionojnë së tepërmi” u shpreh Lyto. Por të dy të ftuarit dhanë dhe disa këshilla në lidhje me guidat dhe mjetet që duhet të keni me vete gjatë udhëtimeve të tilla.
“Duhet të lexojnë sa më mirë guidat dhe gjithashtu mjetet e duhura për hiking, si këpucët veshjet e dëborës sepse ka pasur edhe raste që jemi gjendur në të papritura me veshjet e turistëve që nuk kanë qenë të përshtatshme për vendet që kemi vizituara” përfundoi Gëzim Shuli.
Ndërsa program i tyre më i fundit është një udhëtim me biçikleta në Sherbenik.
