Aktorja Oriana Cama imiton personazhet e ‘Big Brother’: Beatrix-in e kisha të vështirë

Aktorja shqiptare me origjinë nga Saranda, Oriana Cama është një ndër artistet më të dashura për publikun. Ajo ka spikatur për origjinalitetin dhe modestinë e saj.

E ftuar sot në emisionin “Jeto me Orën” në një lidhje në “Skype” nga Itali Oriana foli jo vetëm për karrierën por edhe për jetën e saj private. Ajo tregoi se kjo periudhë festash është për të shumë e bukur. 

“Periudhë e festive është gjithmonë e gëzueshme por jo aq bukur sa në Tiranë. Këto vite kanë qenë shumë të vështira për të gjithë ne sidomos këtu në Itali” u shpreh aktorja.

Oriana tregoi sesi e nisi karrierën e saj në aktrim.

 “Shumë gjëra ecin në gen u shpreh ajo madje shumë gjëra i kam marrë nga gjyshja. Që e vogël thosha se do bëhesha aktore që të bëja të gjitha profesionet” u shpreh aktorja.  Ajo tregoi edhe rolet e saj më të preferuar

“Rolet e mija kryesisht kanë qenë në teatër dhe në zhanerin e dramës dhe më pas kam kaluar në humor. Por roli i Donës më ka befasuar pasi vetëm një batutë u bë shumë virale dhe nuk e prisja këtë gjë. Nuk e prisja aspak këtë reagim nga publiku” u shpreh aktorja. 

Ndërsa kalimi nga Tirana në Itali për të ka qenë shumë e vështirë.

“Kam ende një dëshirë të madhe për t’u kthyer në Shqipëri pasi erdhëm këtu nisi pandemia edhe shumë gjëra kanë ndikuar jam ende në ajër. Pasi u bëra nënë ndryshuan shumë gjëra, emigracioni pësova një transformim në fizik duke shtuar 50 kile dhe ishte një periudhë shumë e vështirë për mua” u shpreh Cama. Ndër të tjera Oriana është edhe mjaft aktive në rrjetet sociale në Instagram duke hedhur video me imitime të ndryshme.

 “Jam duke u përshtatur me kohën, bëj personazhe të ndryshme. E nisa gjithçka në muajin nëntor me personazhet e Big Brother dhe ishte shtysa e miqve që ta hapja profilin që i gjithë publiku t’i shikonte këto imitim.” u shpreh aktorja. E pyetur se cilat personazhe kanë qenë më të vështirët për të dhe të parët që ka imituar, Oriana tregoi më tepër për publikun.

“Personazhet që imitova në fillimi ishin ato me pizhama pasi edhe djalit tim i pëlqejnë shumë. Të parat kanë qenë Fifi dhe Semi, Fifi ka qenë më i lehti si personazh ndërsa më I vështiri ka qenë Beatrix. Janë pëlqyer shumë si personazhe por edhe më kanë sulmuar shumë. Vetëm politikanët nuk sulmojnë kur i imiton ” u shpreh aktorja.

Ajo tregoi se dëshiron shumë të kthehet në Shqipëri pasi e ka marrë shumë malli.

 “Më ka marrë shumë malli për rrugët e Tiranës për Shqipërinë por rregullat këtu më pengojnë shumë të vi dhe u bë kohë pa ardhur” përfundoi aktorja Cama.  Në vitin 2017 aktorja  gjithashtu  është vlerësuar si aktorja më e mirë jo protagoniste në festivalin e filmit  “ A true story” në Romë.