Tensionet Poloni-Bjellorusi: 200 emigrantë tentuan të kalojnë kufirin
Rreth 200 migrantë kanë tentuar të kalojnë ndalesën gjembore në pikën kufitare mes Polonisë dhe Bjellorusisë më 24 nëntor, ka thënë Garda Kufitare polake.
Incidenti i fundit afër fshatit Czeremça është pjesë e përleshjeve ditore në mes të migrantëve dhe forcave kufitare.
“Ata kanë tentuar të kalojnë kufirin, të sulmojnë kufirin”, u shpreh të enjten zëdhënësja e Gardës Kufitare, Anna Michalska.
“Ata kanë hedhur gurë dhe tentimet e tyre janë bllokuar nga zyrtarët tanë”, shtoi ajo.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë thënë se janë duke bërë gati pakon e pestë të sanksioneve kundër Bjellorusisë pas atij që e konsiderojnë si “sulm hibrid” ndaj bllokut.
Pas rritjes së tensioneve, autoritetet bjelloruse kanë pastruar kampet e emigrantëve një javë më parë në zonën kufitare dhe u kanë mundësuar disa emigrantëve nga Iraku që përmes fluturimeve të kthehen në vendlindje.
Veprimet e Minskut janë parë si hakmarrje për sanksionet e vendosura nga BE-ja ndaj regjimit të Aleksandër Lukashenkos, pas shtypjes brutale të opozitës, e cila beson se lideri autoritar ka manipuluar zgjedhjet e mbajtura në gusht të vitit të kaluar.


