"Mos përhapni spekulime! Besa Trans se autobusi bënte kontrabandë nafte, benzinë apo të lëndëve piroteknike
Agjencia turistike “Besa Trans” Shkup në profilin e saj në Facebook ka njoftuar se autobusi i tyre i djegur në aksident nuk ka bërë kontrabandë nafte, benzine apo lëndë piroteknike dhe apelon mediat që të mos përhapin spekulime që do të dëmtonin hetimin.
"Si agjenci njoftojmë familjet e të vdekurve dhe të lënduarve në tragjedi se autobusi në asnjë rast nuk ka pasur bagazh për kontrabandë nafte, benzine apo lëndë piroteknike. Të gjitha këto spekulime janë dashakeqe. Kapaciteti total i autobusit ishte 450-500 litra naftë për vetë autobusin dhe në asnjë rast nuk kishte rezervë për qëllime kontrabande. Edhe një herë kërkojmë nga mediat që të mos përdorin këtë dezinformatë”, tha agjencia në Facebook.
Autoritetet bullgare po bëjnë hetimet për aksidentin e trafikut ku mbetën të vdekur 46 shtetas të Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, kompania që organizoi udhëtimin nuk kishte lejen e duhur për vënien në qarkullim ndërkombëtar të autobusit, i cili u përfshi në aksident.
Shtatë persona të lënduar në këtë aksident, nga të cilët një i ri nga Presheva dhe një tjetër nga Belgjika janë shtruar në një spital të Sofjes.
Mjekët ligjorë maqedonas ankohen se nuk kanë qasje në autopsinë e trupave të viktimave.
Ende nuk është i njohur shkaku i tragjedisë të së martës në Bullgari që la të vdekur 46 shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa emrat e viktimave janë bërë të ditur, por jo dhe identifikimi i trupave të tyre. Mjekët ligjorë nga Maqedonia e Veriut ndodhen në Sofje në pritje të lejes nga kolegët e tyre bullgarë për të marrë pjesë ose vëzhguar procesin e autopsisë.
Familjarëve të viktimave u janë marrë mostrat e ADN-së për t’i identifikuar ata që humbën jetën në aksidentin e autobusit të kompanisë “Besa trans” derisa po ktheheshin nga një eksursion në Stamboll të Turqisë. Ata kryesisht ishin shqiptarë. Ekspertët maqedonas të forenzikës u kanë thënë mjeteve të informimit në Sofje se ndjeheshin të ofenduar me trajtimin nga autoritetet bullgare që nuk u lejonin atyre qasjen në autopsinë e viktimave.
Ministria e jashtme në Shkup ka dërguar në Sofje dy diplomatë me përvojë për të ndihmuar rreth paqartësive eventuale.
