Bota e rrezikuar e informimit dhe “Agjencia e së Vërtetës”
Filozofi kanadez, Marshall McLuhan, parashikonte se, me përhapjen e madhe të komunikimit do të kemi të bëjmë me fenomenin e të zhdukurit të mendimit kritik në shoqëri, çka i hap rrugën krijimit të turmave imituese. Sipas McLuhan, fuqia e ideologjisë në pushtet nuk qëndron më te forca e saj njohëse ndaj fenomeneve, por tek aftësia për të nxitur e të ndezur anët e errëta të natyrës njerëzore. Parë në këtë këndvështrim, me shumë të drejtë, mjaft qytetarë mund të pyesin: Po kujt duhet t’i besojmë në atë çka dëgjojmë?
Përgjigjet për këtë pyetje nuk janë vetëm dy apo tre, e as të lehta. Kjo edhe për faktin se politika ka nxitur prej kohësh përfshirjen e qytetarëve në qeverisje, e cila nuk është veçse një përpjekje për t’i kthyer qytetarët në zgjatim të propagandës, e njëkohësisht për të fituar aprovimin e tyre, të paktën për njëfarë kohe. Kjo lojë e bashkëqeverisjes bëhet edhe më prezente sidomos kur qeveria ka nevojë të fitojë kohë lidhur me marrjen e disa vendimeve që mund të hasin kundërshti nga ekspertët e fushës.
Zgjerimi i komunikimit të sotëm, duke i përfshirë thuajse të gjithë, sidomos ata që japin spektakle, nuk ka në qendër të vëmendjes kulturën, por instinktet, epshin, egon, dhe tundimin e publikut për t’iu shmangur anonimatit… Ndaj, në shoqërinë shqiptare është më e lehtë të besohet gënjeshtra. Ashtu siç e kishte parashikuar Xhorxh Oruell në romanin “1984”, se në vende ku montohet diktatura apo autokracitë, gënjeshtra është disa hapa përpara të vërtetës. “Të mohosh ekzistencën e së vërtetës objektive dhe gjatë gjithë kohës të kesh parasysh faktin e mohuar.
E gjithë kjo është domosdoshmëri. Dhe kështu deri në pafundësi: me faktin që gënjeshtra është gjithnjë një hap përpara së vërtetës”, shprehej Oruell në romanin “1984”, teksa përgatitej “Ministria e së Vërtetës”, ashtu siç edhe po përgatitet “Agjencia e së Vërtetës Publike” që do u kërkojë qytetarë të besojnë atë që i thuhet e jo atë që ndodh.
Pushteti u krijon idenë qytetarëve se mund të jenë në bashkëqeverisje, duke u zgjuar atyre anët e errëta të komunikimit, që kanë të bëjnë sidomos me denigrimin e tjetrit dhe me dëshirën për të parë tjetrin sa më afër dëshirave dhe botës së tij, e jo si një pasqyrë që i tregon atij jetën dhe mendimet e gabuara. Atëherë, nëse situata është kaq e errët, sërish duhet të pyesim: Kujt duhet t’i besojmë?
Sali Berisha, sot me "Foltoren" në Durrës
29 Shtator, 09:55
A ka shpresë, kur pas zgjimit të anëve të errëta të njeriut kemi të bëjmë me kalimin në dekurajim?
Njerëzit që besojnë se mund të jenë të lirë, dhe bëjnë gjithçka për ta mbrojtur larinë e tyre, kanë më pak gjasa që të jenë viktima të manipulimit, kanë më pak gjasa të aprovojnë një realitet të bazuar në instinkte. Dhe sot, kur qeveritë nuk e fshehin më se po bëjnë gjithçka që të kontrollojnë atë që mendojnë qytetarët, është me rëndësi që ndryshimi të nisë nga debati mbi moralin, që më pas kthen kurajën- sepse kurajo është motori më i rëndësishëm për të përqafuar ndryshimin./OraNews/

